OBSH: Mos keni frikë nga vaksina
Menjëherë pas shpërthimit të gripit të derrave, kompanitë farmaceutike botërore kanë nisur punën për të zbuluar vaksinën kundër A/H1N1, e cila është hedhur në qarkullim në vjeshtën e kaluar, duke ngritur njëkohësisht dyshimet për efikasitetin e saj, pasi që ajo nuk është testuar më parë.
Por, një studim i “Global Resarch Vodarf” tregon se kompanitë farmaceutike “Gllakso Smith Klajn”, “Rosh” dhe “Novartis” kanë ndikuar me qëllim te shkencëtarët dhe organet zyrtare botërore të shëndetësisë, të cilat kanë alarmuar qeveritë e mbarë botës për të shitur medikamentet dhe vaksinat e tyre.
Në këtë mënyrë miliona njerëz të shëndetshëm i janë nënshtruar vaksinave A/H1N1, gjë që ka shtyrë Këshillin Evropian të ngrejë hetime për korrupsion që kanë çuar në shpalljen e një pandemie të rremë nga e cila këto kompani kanë përfituar miliona dollarë. Gjithashtu, KE do të hetojë edhe rolin e OBSH-së, e cila pasi shpalli me urgjencë pandemitë, ndryshoi kriteret e saj.
Por, shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, thekson se prodhimi i vaksinave ka qenë njëri prej aspekteve që është bërë gjatë përgatitjeve për të adresuar pandeminë sa më mirë. “Sa i përket këtij aspekti Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mund ta thotë me bindje të plotë, mirëpo edhe duke u argumentuar me fakte shkencore, se ne kemi të bëjmë me një pandemi reale dhe po ashtu në aspektin historik kjo është e saktë. Prodhimi i vaksinave ka qenë njëri prej aspekteve që është bërë gjatë planeve, gjatë përgatitjeve për të adresuar pandeminë sa më mirë”, thotë Syla.
Përderisa Këshilli Evropian ka nisur hetimet rreth asaj se pandemia e gripit është zmadhuar qëllimisht për shitjen e vaksinave dhe medikamenteve, përfaqësuesi i OBSH-së për Kosovë thotë të kundërtën, ngase sipas tij, shifrat prej qindra-miliona individë të vaksinuar në botë tregojnë se kjo vaksinë është e sigurt dhe efikase.
“Deri më tani të dhënat që tregojnë prej numrit, me qindra, miliona individëve të vaksinuar tregojnë se kjo vaksinë është e sigurt, është efikase po aq sa është e sigurt dhe efikase që janë vaksinat tjera ndaj gripit sezonal. Kështu që prodhimi i vaksinave, shpërndarja e tyre dhe imunizimi i popullatës ka qenë një domosdo e kohës. Edhe sot e kësaj dite Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), rekomandon që kjo vaksinë të merret me një numër sa më të madh të qytetarëve, në mënyrë që të krijohet një imunitet kolektiv, për arsye se ne kemi të bëjmë me një virus të ri që qarkullon tani nëpër glob, e i cili nuk ka qarkulluar më parë dhe shumica e individëve nuk kanë imunitet ndaj këtij virusi”, është shprehur Syla.
Drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë për Kosovapress, se efektet anësore të vaksinës kundër gripit A/H1N1 nuk shprehen më të mëdha se sa vaksinat tjera të prodhuara deri më sot kundër gripit sezonal.
“Vaksina e gripit i takon grupit të vaksinave, pra flasim për gripin H1N1 që i takon grupit të vaksinave që janë imunogjene. Do të thotë arrijnë efekt mbrojtës te njeriu dhe janë vaksina të cilat efektet anësore nuk i shprehin në masë më të madhe se sa vaksinat tjera të prodhuara deri më sot për influencën sezonale ose për gripin e rëndomtë të cilin e regjistrojmë vit pas viti”, theksoi Dreshaj.
Për më tepër, Dreshaj theksoi se vaksinat, të cilat janë donacion i Qeverisë së Turqisë, janë të evidentuara me efekte anësore, mirëpo sipas tij, ato efekte anësore janë shumë të limituara dhe se janë vaksina të sigurta.