Moska “e brengosur”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar të premten se me “një vullnet të mirë” mund të ringjallen bisedimet për Kosovën.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së duhet të udhëhiqet nga vendimet e Këshillit të Sigurimit, ndërsa zgjidhja themelore për Kosovën është Rezoluta 1244. Është me rëndësi që patronët e Prishtinës asaj të mos ia ndalojnë, por ta nxisin për negociata normale”, ka thënë Lavrov, në një takim me gazetarë në Moskë.
Ai ka thënë se Moskën e brengos zhvillimi i situatës në Kosovë dhe ajo që Prishtina përpiqet me të gjitha mënyrat që të pengojë punën e Misionit të OKB’së.
“U bëjmë thirrje atyre që ndikojnë në Prishtinën që të mos lejojnë përpjekje të tilla”, ka thënë Lavrov.
Sipas tij, në Kosovë ka shumë probleme të cilat do të diskutohen hollësisht në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.