E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: Ishte votë për të ndëshkuar Berishën. Partia po i kalon fotokopjes Basha (dhe disa konsiderata për Familjen)

bojaxhi]Bojaxhi e deklaroi hapur votën e tij pro Olldashit, kur të votojë më 22 korrik. Akuza: Familja e Berishës ndërhyn në ekzekutiv

(E PERDITESUAR)- Gjergj Bojaxhi, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike, në një intervistë për Ilva Taren, tha se vota e 23 qershorit ishte një votë për të ndëshkuar dhe për të hequr kryeministrin Sali Berisha nga pushteti.

Bojaxhi tha se situata ekonomike ka ndikuar në humbjen e të djathtës.

PD në mandatin e saj të dytë të qeverisjes nuk ishte në lartësinë e mandatit të parë, tha Bojaxhi.

Ai u shpreh se Berisha nuk e linte PD që të zhvillohej dhe të modernizohej.

PD u largua nga lufta ndaj korrupsionit dhe kjo ndikoi në rënien e mbështetjes së saj, akuzoi Bojaxhi.

Sipas tij, PS nuk ka shtuar mandatet, ato i janë shtuar partive të vogla.

Duke komentuar garën për kreun e Partisë Demokratike, Bojaxhi tha se është një proces shumë i ngutur.

Bojaxhi tha se duhet të ketë një analizë për humbjen, ndërsa parashikoi se për PD-në do jetë më i vështirë reformimi dhe ndryshimi, në krahasim me PS-në.

PD duhet të kalojë disa procese për tu reformuar dhe ky reformim nuk mund të bëhet nga drejtuesit e rinj, tha Bojaxhi duke sugjeruar se PD mund të administrohej në mënyrë kolegjiale për dy vjet.

Ky nxitim është bërë që partia të kalojë sa më shpejt në duart e fotokopjes, të Lulzim Bashës. Ai është i katapultuar në PD, tha Bojaxhi duke shtuar se Olldashi do kishte shanse të mira për të fituar nëse do ishte një garë e ndershme.

Madje Bojaxhi e deklaroi hapur votën e tij pro Olldashit, kur të votojë më 22 korrik.

Bojaxhiu tha se ai nuk do pranonte kurrë një marrëveshje me Ilir Metën për Tiranën siç bëri Basha.

Koalicioni me LSI ka qenë një koalicion i pamoralshëm dhe një nga shkaqet e katastrofës elektorale, tha Bojaxhi, duke shtuar se vetëm Basha dhe Berisha kanë bërë koalicion me Metën.

Bojaxhi tha se Basha edhe në KOP ishte i katapultuar nga Berisha.

Bojaxhi foli dhe për familjen e Kryeministrit, që ka bërë ndërhyrje të qarta në ekzekutiv:

Brenda PD ka një grup njerëzish që asnjëherë nuk kanë qenë në vendimarrjen e familjes së Kryeministrit. Varet kush do fitojë, kjo do tregojë dhe ndikimin e Berishës në të ardhmen. Olldashi ska qenë asnjëherë i rehatuar me këtë ndërhyrje në parti, Basha e ka ndërtuar karrierën e tij me këtë ndërhyrje. Unë me integritetin që kam në publik, nuk mund të gënjej ata që më dëgjojnë apo shikojnë. Që ka pasur ndërhyrje të qarta në ekzekutiv nga anëtarët e familjes së Kryeministrit Berisha, ka pasur. Ai ka qenë në dijeni, përgjegjësinë atij ja kam vënë për këtë fakt, që njerëzit që kontrollonte ti ndëshkonte nëse bashkëpunonin me ta për vendime që ai nuk ishte dakord. Sot me jetën që kemi , prindi smund të jetë përgjegjës për veprimet e fëmijës së tij. Unë me gjërat që kam administruar nuk kam lënë të ndërhyjë njeri, tha Bojaxhi.

I pyetur nëse atë e kanë larguar nga puna si ndëshkim nga Familja, Bojaxhi la një përgjigje të hapur, duke thënë se mund të ishte edhe kjo, sikundër e la të hapur mundësinë që Familja të ketë ndërhyrë në punët e tij kur ishte zyrtar i qeverisë Berisha.

Në fund, Bojaxhi vlerësoi Ramën, duke thënë se kur ishte kryebashkiak dhe kreu i opozitës, e ka përkrahur në nismën e tij për të ndërmarrë aksione ndaj ndërtimeve pa leje./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›