Transparency: Shumica e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është shtuar dy vitet e fundit
Raporti i Transparency International mbi Barometrin Global të Korrupsionit tregon se në Shqipëri fenomeni ka pësuar një rritje gjatë dy viteve të fundit. Kjo është pohuar nga 66 përqind e shqiptarëve të pyetur. Më shumë se shumica besojnë se masat e ndërmarra nga qeveria nuk kanë qenë efikase, ndërsa sistemi gyqësor dhe shëndetësia vazhdojnë të renditen si ndër më të korruptuarit.
Shqipëria renditet në bisht të vendeve të Ballkanit për përhapjen e fenomenit të korrupsionit. Kjo është e dhëna e publikuar nga raporti i Transparency International, i bërë publik nga dega e saj në Tiranë e që bazohet në deklarimet e qytetarëve shqiptarë.
Të pyetur se si ka ndryshuar niveli i korrupsionit në vend gjatë 2 viteve të fundit, 66% e Shqiptarëve mendojnë se është rritur, 25% se ka qëndruar i pandryshuar dhe 9% mendojnë se ka pësuar rënie. Ky nivel perceptimi, i njëjtë edhe për Kosovën, i rendit dy shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për Ballkanin Perëndimor (në Bosnje & Hercegovinë 65% mendojnë se është rritur, në Maqedoni 41%, në Kroaci 21%, në Serbi 8%), shpjegoi Inesa Hila, koordinatore e Transparency International për Shqipërinë.
Sipas Barometrit të TI, 74 përqind e shqiptarëve kanë deklaruar se u është kërkuar të japin ryshfet dhe 21 përqind e tyre pranojnë ta kenë bërë këtë. Shumica e tyre deklarojnë se masat e ndërmarra nga qeveria nuk kanë qenë efikase: Në Shqipëri, 58% e të anketuarve mendojnë se veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive, 30% as efektive as joefektive dhe vetëm 12% janë të mendimit se kanë qenë efektive. Nga ana tjetër, pyetjes se a besojnë se njerëzit e zakonshëm mund të sjellin ndryshim në luftën kundër korrupsionit, 59% e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor mendojnë që po, ku nivele të larta vihen re për Shqipërinë dhe Kosovën (respektivisht 75% dhe 79% e të anketuarve besojnë se njerëzit janë kontributorë kryesorë të ndryshimit për ta luftuar fenomenin. Por vetëm 51% e shqiptarëve priren të denoncojnë një rast korruptiv, kjo nisur nga arsyeja e një besimi të ulët tek institucionet duke menduar se rasti nuk do të gjejë zgjidhje (50%) ose pasur frikë nga pasojat e denoncimit (26%), tha Hila
Një situatë e tillë shpjegohet dhe me faktin se sistemi gjyqësor rezulton se vazhdon të konsiderohet si më i korruptuari: Në një shkallë nga 1 në 5 (1=aspak të korruptuara; 5=shumë të korruptuara), institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohet të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor (4.3 pikë), të ndjekura nga partitë politike, sistemi arsimor, parlamenti/legjislativi, policia etj, deklaroi Hila.
Çështja e korrupsionit përmendet në të gjithë raportet ndërkombëtare për Shqipërinë ky vlerësohet se fenomeni është gjerësisht i përhapur. Lufta ndaj tij mbetet një kërkesë e vazhdueshme ndaj autoriteteve shqiptare dhe një prej sfidave në përparimin drejt integrimit europian të vendit./VOA