E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti - refuzim i regullave, refuzim i demokracisë

15/01/2010  Kryetarja e Kuvendit, Topalli, mer mbështetjen e PE-së për vizat. Albertini kritikon
Vijojnë kritikat e ndërkombëtarëve në adresë të opozitës lidhur me qëndrimin e saj jashtë punimeve të Parlamentit të Shqipërisë. Pas Presidentit të Parlamentit Evropian Jerzy Buzek, edhe kryetari i Komisonit të Jashtëm Gabriele Albertini ka kritikuar qëndrimin e depuetëve të Partisë Socialiste. Gjatë takimit që ai zhvilloi me Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli në Bruksel, Albertini ka theksuar se “të mos pranosh rregullat, siç bën opozita me qëndrimin e saj, do të thotë të refuzosh demokracinë”. Ai ka kujtuar se rregullat e demokracisë janë rregulla të forta dhe se verifikimi dhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar tregojnë se rezultatet janë një realitet. “Nga këto zgjedhje ka dalë një mazhorancë dhe minoranca duhet të ndërgjegjësohet për vendin që i takon. Të mos pranosh këto rregulla, siç bënë opozita me qëndrimin e saj, do të thotë të refuzosh demokracinë. Pra, konfirmoj pozicionin e Presidentit të Parlamentit Europian Buzek se ‘mazhoranca qeveris dhe opozita kontrollon””, - theksoi ai. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE-së, referuar rregullave të funksionimit të shtetit të së drejtës, ka theksuar ndarjen e pushtreeve, ku Parlamenti është një pushtet, drejtësia një pushtet tjetër dhe qeveria një tjetër. “Meqenëse drejtësia ka marrë një vendim në lidhje me pretendimet e opozitës, atëherë pushteti politik nuk mund të dalë mbi pushtetin e drejtësisë. Po ta bënte Parlamenti këtë, do të thotë të shkelë rregullat e shtetit të së
Drejtës, dhe kjo do ta largonte Shqipërinë nga Europa”, - ka vijuar ai, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë edhe pretendimin e opozitës për hetim të prpocesit zgjedhor. Për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave për Shqiëpinë, ai shprehu bindjen se brenda mesit të këtij viti, në verë, ky proces do të mbyllet. “Jemi shumë të kënaqur, sepse kjo e afron Shqipërinë me Evropën, dëshirë që e kemi të gjithë ne, veçanërisht ne italianët, që jemi afër. Natyrisht, edhe për ju shqipëtarët, që pas vitesh izolimi aspironi të hyni në Europë me të drejta të plota”, - përfundoi diplomati evropian. Tri ditë më parë edhe Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, e vlerësoi të dëmshëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian bojkotin e punimeve të Kuvendit nga opozita shqiptare. Duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës, ai tha se bojkoti shuan mundësitë për bashkëpunim. Buzek ia përcolli këtë shqetësim kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli gjatë një takimi që zhvilloi me të në Bruksel. “Ne e dimë se gjithnjë ka tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, në çdo vend demokratik ekziston kjo, por një lloj bashkëpunimi është i domosdoshëm, specifikisht në këto momente kur të dyja palët, pozita dhe opozita në Shqipëri, duan të hyjnë si shtet në BE. Pra, në këtë pikëpamje, duke qenë përgjegjëse, bojkote të tilla janë shumë të dëmshme, sepse nuk japin shumë mundësi për të bashkëpunuar”, - tha Buzek.
Takimet
Kryetarja e Kuvendit ndodhet për një vizitë disaditore në Bruksel, ku është takuar me përfaqësues të lartë të Parlamentit Evropain dhe të Belgjikës. Me secilin prej tyre ajo ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe situatën më të fundit në Veri të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›