Komiteti i kulteve, platformë për turizëm fetar dhe trashëgimi kulturore
15/01/2010 100 milionë lekë është shuma e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e bashkësive fetare për 2010-n. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje, gjatë analizës së punës së Komitetit Shtetëror të Kulteve ku ishte i pranishëm edhe ministri i kulturës, Ferdinand Xhaferraj. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Xhaferaj, vlerësoi punën e institucionit që merret me çështjet fetare. Në gjysmën e dytë të vitit qeveria do të japë fond tjetër për restaurimin e objekteve të kultit. “Ju ,tha Ministri, kontribuoni për tolerancë dhe harmoni fetare, e cila është një nga vlerat e popullit shqiptar, të cilat tregojnë emancipim dhe nivel kulturor”. Ministri vlerësoi edhe punën për pyetësorin, i cili është një nga detyrat e Bashkimit Evropian që duhet përmbushur si kusht për integrimin e vendit në BE, si dhe dy progresraportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët e vlerësojnë maksimalisht tolerancën fetare në Shqipëri. Ai gjithashtu kërkoi dhe bashkëpunim në lidhje me 100-vjetorin e Lindjes së Nënë Terezës, eveniment fetar që i kalon kufijtë e fesë, sipas tij. Edhe kyetari Rasim Hasanaj e vlerësoi 2009 si një vit të suksesshëm. Sipas tij,duhet një bashkëpunim më i madh nga ana e shtetit për ruajtjen e ekuilibrave mes besimeve fetare. Vlen të theksohet sipas tij se Komiteti Shtetëror i Kulteve është në përfundim të një projektligji ku përfshihen dhe besimet e tjera fetare. Ky projektligj është çuar edhe në Komitetin e Venecias për përmirësim. Por sipas Hasanaj problem mbetet regjistrimi i disa besimeve si OJF, gjë të cilën pritet ta përmirësojë projektligji në fjalë. Hartimi i platformës së turizmit fetar është një nga angazhimet e Komitetit Shtetëror për Kultet, i cili në bashkëpunim me IMK ka hartuar listën me objektet fetare që përbëjnë trashëgimi kulturore.