E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët e Korçës pre e mashtrimeve, nën hetim 2

15/01/2010  U paraqiten si sekserë vizash dhe biznesmenë. U marrin 2 shtetasve 10 mijë euro
Policia nis procedimet për mashtruesit: Në Korçë fenomeni në masë
KORCCE- Mashtruesit po bëhen gjithmonë e më të pranishëm në jetën e qytetarëve të qarkut Korçë. Dikush prej tyre e mban veten si “biznesmen”, një tjetër si “nxjerrës vizash për në shtetin grek” e ndonjë tjetër si “milioner”, por që për momentin, “rastësisht”, u duhen ca para, sepse ai “nuk e ka problem” që shumën e kërkuar të ta kthejë që të nesërmen, madje me shumë mirësi. Policia sapo ka vënë nën hetim dy persona për veprën penale të mashtrimit, por në të vërtetë nuk kanë qenë vetëm këto raste. Edhe kohë më parë qytetarë të këtij rajoni janë bërë “pre” e viktimave. Tashmë kanë filluar të vijnë edhe nga rrethe të tjera, sepse Korça ka filluar t’u duket si “tokë pjellore”. Vetëm gjatë kohëve të fundit në rrethin e Korçës janë shfaqur 3 raste, ku njëri prej tyre arriti të mashtronte 4 biznesmenë të qytetit të Korçës. Fatmirësisht policia e arrestoi.
Nga kjo ngjarje mësohet se shtetasi D. Rrusho, 46 vjeç, lindur në Trebinjë të Pogradecit dhe banues në lagjen nr. 1 të këtij qyteti, kishte pasur nevojën e nxjerrjes së një vize për në shtetin grek, por nuk po e nxirrte dot dhe për më shumë nuk po gjente dot njeriun e duhur, i cili mund ta ndihmonte për hallin që kishte. Pikërisht në këtë kohë, i është shfaqur A. Ç, njeriu që mund ta nxirrte nga halli që e kishte zënë. Ky i fundit e kishte garantuar, Rushon se ai mund t’i nxirrte një vizë për në shtetin grek, vetëm se fillimisht (pa u siguruar viza) duhej të paguante një shumë prej 2500 eurosh. Mësohet se pas këtij pazari xhentëlmenësh, D. Rushos i është dashur të presë një vit të tërë për marrjen e vizës, por kur edhe viti kaloi u bind se viza nuk kishte për të rënë më në duart e tij. Për këtë arsye së fundi iu drejtua policisë për të kërkuar ndihmë. Nga të njëjtët burime mësohet se mashtrimi i dytë ka ndodhur sërish në qytetin e Korçës. Për këtë rast policia e këtij rrethi ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale për veprën penale të mashtrimit ndaj shtetasit F. XH., të datëlindjes 1967 lindur në Vreshtas dhe banues në lagjen nr. 1 të Korçës. Në këtë ngjarje viktimë është shtetasi H. K., i datëlindjes 1958, lindur dhe banues në Korçë, pasi ky i fundit i kishte dhënë shtetasit F. XH një shumë prej 6.800 eurosh, me kushtin që t’ia kthente brenda datës që e kishin përcaktuar ata të dy, por që në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›