Bojkoti, Berisha: Nuk është çështje kutish, por kasafortash
Në duar dosje korruptive me troje dhe leje ndërtimi dhe me një vullnet të hekurt për të mos u dorëzuar para kupolës mafioze, Kryeministri Sali Berisha paraqiti mbrëmë para shqiptarëve faktet dhe dokumentet e abuzimit të 750 milionë eurove me pronat e kryeqytetit nga klani “Rama”. Para kamerave, z. Berisha publikoi dosje të firmosura nga kryetari i bashkisë, njëherësh dhe kryetar i PS-së, z. Edi Rama, duke renditur një listë të gjatë emrash të ndërtuesve dhe njerëzve që njihen si mbështetës të kryetarit të socialistëve. Përmes një konference të zhvilluar në orët e mbrëmjes, Kryeministri Berisha u bëri të qartë shqiptarëve se me dorën e fortë të ligjit do të gozhdojë Aldo Baret me pamje zotërinjsh. “Sot kam këtu një dosje që dëshmon se Tan Dulaku, Tom Doshi, Fidel Ylli, Dash Peza, Leskaj, Koço Kokëdhima e të tjerë zotërinj vetëm 2-3 vjetët e fundit kanë marrë dhe dhunuar ligjet dhe pronat, 500 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi me vlerën 750 milionë euro. Mafia kërkon të bllokojë rrugën drejt Evropës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit”, - u shpreh Berisha, ndërsa nënvizoi se hapja e kutive është një çështje e mbyllur. Ai akuzoi Ramën se ka dhënë lejet e ndërtimit në shkelje të ligjit. Ai bashkë me bashkëpunëtorët, sipas Kryeministrit, janë si një “kupolë mafioze”, ku çdo gjë e kanë bërë për përfitim të ardhurash. “Do filloj me Ilir Matën apo kunatin e shokut Xhemal, kunatin e Dashit, që na pastron dhe qytetin, se tenderat e pastrimit të qytetit Dashi i fiton. Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës 21 mijë e 350 metra katrorë leje ndërtimi, në njërën 11 mijë, në tjetrën 9 mijë e 7 qind, nuk po hyjmë tek tenderat e tjerë që janë fituar, por këto të dyja, të gjitha në dhunim të pronave dhe ligjit. Tani vjen Nard Konstruktori, keni parë ju, Nard Contruction, demokristiani ateist, ky ka 27 mijë e 743 metër katrorë, është një ndërtues, që të gjitha në dhunim të ligjeve dhe pronave”, - deklaroi Berisha. Pasi tij, ai akuzoi: “Tani vjen Koço Kokëdhia apo Koço Bashkia. Koçua ka 24 mijë e 8 qind metër katrorë leje të ndryshme ndërtimi, të gjitha me firmën e Edi Ramës, njëra është 6 mijë, tjetra 6 mijë e 7 qind, 5 mijë e 6 qind, tjetra 6 mijë e 5 qind, po i tregoj me transparencë të plotë. Koço Kokëdhima, sipërfaqe ndërtimi, 6 mijë e 72 metra, kryetari Edi Rama, Koço Kokëdhima, 5 mijë e 670 metër, sipërfaqe ndërtimi, kryetari Edi Rama, Koço Kokëdhima, 6 mijë e 950 metra, kryetari, firmëtari Edi Rama. Koço Kokëdhima, 6 mijë e 108 metra, firmëtari Edi Rama”. Berisha vijoi më tej: “Tom Doshi, me një sipërfaqe prej 29 mijë e 6 qind metër katrorë, leje ndërtimi, Tom Doshi, 16 mijë e 1 qind në vitin 2007, kryetari Edi Rama, Tom Doshi, 14 mijë e 5 qind, në vitin 2008, kryetari Edi Rama. Pastaj vjen ylli i partisë, Fideli, ky është me 47 mijë e 884 metra, këtu është punë kasafortash. Fidel Ylli, 4 mijë e 320 metra katrorë, kryetari Edi Rama, 21 mijë e 532, më 7.6.2008, kryetari Edi Rama, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, sipërfaqja tjetër e yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21 mijë e 831 metër katrorë, ndërtim, këtu është plani dhe të gjitha. Kryetari Edi Rama”. “Pas Fidelit të partisë, - shtoi Berisha, - vjen Besniku i partisë, Besnik Sula, me 45 mijë e 977 metër katrorë, besniku i partisë, në 2008, 9 mijë e 266 metra katrorë, në 2007, 26 mijë e 820 metra katrorë, besniku i partisë në 2007, 685 metër katrorë dhe po ky në 2008, 8 mijë e 76 metër katrorë. E ndjek, Sadri Abazi, me 53 mijë e 8 qind metër katrorë, dhunime monstruoze me pronat e qytetarëve të Tiranës, por ju garantoj ju edhe në prona publike. Këtu ka sipërfaqe, mijëra e mijëra katror të shitura nga Edvini, Besnik Sulës me 3 mijë lekë të reja metër katrorë, brenda vijës së unazës”, - u shpreh Kryeministri. “Tani, - akuzoi më tutje Berisha, - zoti Sadri Abazi, 15 mijë e 911 metër katrorë, në 2008, Sadri Abazi 5 mijë e 60 metër katrorë në 2008, Sadri Abazi 21 mijë e 970 metër katrorë. Më lart ngjitet në kupolë Arjan Leskaj, në kupolë Arjan Leskaj vendoset e 61 mije e 840 metër katrorë, në 2008, 60 mijë e 922 metër katrorë, në 2007 Arjan Leskaj me 5 mijë e 747 metër katrorë, në 2007, Arjan Leskaj me 1 mijë e 534 metër katrorë, në 2008, Arjan Leskaj me 7 mijë e 286 metër katrorë, në 2005 me 30 mijë e 410 metër katrorë”. Por, sipas Berishës, në krye të kupolës është Tan Dulaku. “Ky zotëri është me 145 mijë e 366 metër katrorë, nga të cilat vetëm tokë e vjedhur në zemër të Tiranës, tokë publike është 54 mijë e 153 metër katrorë, toka tek e presupozuar, sipas tyre, tek Xhamia e Karapicëve, Lidhja e Shkrimtarëve etj., etj., ku dokumenti i cili paraqiste inaugurimin e saj në vitin ’32 dhe na e servirnin sikur ishte ndërtuar pas lufte, sikur Xhani Anjeli kishte ardhur në vitin ’52 për të shitur tokën që kishte blerë”. Berisha denoncoi faktin se Tan Dulaku, në zemër të Tiranës ka përvetësuar me firmën e Edi Ramës 54 mijë e 153 metra katrorë: “Ja ku është plani dhe të gjitha dokumentet. Tan Dollaku në 2009 ka marrë 16 mijë e 600 metër katrorë, prandaj pushteti i dalë nga zgjedhjet nuk mund të njihet”. “Në 2005, 14 mijë e 273 metra katrorë, në 2005, 7 mijë e 843 metra katrorë, në 2007, 1 mijë e 680 metë katrorë, në 2006, 6 mijë e 7 qind metër katrorë, në 2007, 1 mijë e 31 metër katrorë, në 2007, 204 metër katrorë, në 2007, 1 mijë e 344 metër katrorë, në 2007, 11 mijë e 50 metër katrorë, në 2006, 8 mije e 720 metë katrorë, në vitin 2008, 1 mijë e 340 metë katrorë sipërfaqe ndërtimi”, - pohoi Kryeministri i vendit.
Berisha: Mandatin e parë shkatërrova bandat, të dytin, mafien
Në akuza u përfshi Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, të cilin Berisha e quajti një “demokristian ateist”, që u akuzua se ka përfituar një territor të madh toke në Tiranë. Për Koço Kokëdhimën Berisha tha se ka në dosje 24 mijë metra katrorë leje ndërtimi, theksoi se botuesi i “Shekullit” i ka përfituar nga lejet e dhëna prej Edi Ramës në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Për Tom Doshin Berisha deklaroi se ka përfituar 26 mijë metra katrorë leje ndërtimi nga Edi Rama. Kurse për Fidel Yllin, i njohur si pronar i lokaleve “West” te Kullat Binjake, Berisha tha se ka përfituar rreth 49 mijë metra katrorë sipërfaqe për leje ndërtimi nga Edi Rama, “e tëra në dhunim të hapur të ligjeve”. Për pronarin e “Tajvan” tek ish-parku “Rinia” në qendër të Tiranës, Besnik Sula, Berisha tha se ka përfituar nga Edi Rama 49 mijë metra katrorë sipërfaqe leje ndërtimi. Më tej Berisha denoncoi Sadri Abazin ku tha se ka përfituar 53 mijë metra katrorë sipërfaqe trojesh, dhënë në mënyrë abuzive nga Edi Rama me “3 mijë lekë të reja metri katror, brenda unazës”. Berisha publikoi dhe 68 mijë metra katrorë që Arjan Leskaj, djali i Valentina Leskajt, ka përfituar për leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Kryeministri përmendi tokat te Xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shkrimtarëve etj. dhe përmendi se janë bërë shkelje në dokumentacionin e përfitimit të këtyre trojeve. Duke marrë shkas nga ultimatumi i PS-së për hapjen e kutive të 28 qershorit, kreu i qeverisë pohoi në mënyrë të qartë se bojkoti i PS-së nuk është çështje kutish, por kasafortash. Kryeministri hodhi akuza të shumta kundër kreut socialist, duke e cilësuar si kryetar të një klani mafioz, që sipas Berishës, e ka kthyer Tiranën në një lavatriçe parash. “Rama së bashku me një kupolë mafioze kanë vendosur të mos njohin vullnetin tuaj dhe qeverinë legjitime të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kërkesa e aleancës punisto-mafioze kërkon të nxijë një prej arritjeve më të mëdha në kulmin e demokracisë. Ky grup udhëheq klanet e mafies me të rrezikshme në Ballkan që e ka shndërruar Tiranën në lavatriçe të mafies. Këta zotërinj nuk kanë asnjë interes demokratik, kombëtar. Këta nuk kanë hallin e kutive, kanë hallin e ekonomisë së tyre të bazuar tek krimi”, - theksoi Berisha përpara gazetarëve. Kreu i qeverisë vuri në dukje se klani mafioz udhëheq kupolën e mafies shqiptare, duke kërcënuar deputetët e Partisë Socialiste të mos hyjnë në Kuvend. Më tej, Kryeministri Sali Berisha, në mënyrë të prerë, pohoi se nuk do të pranojë asnjë lloj kompromisi për ndarje pushteti, që sipas tij, kërkohet nga krerët e PS-së. Duke qëndruar i palëkundur në qëndrimin e tij për mosdalje mbi vendimin e gjykatave, çka do të thotë moshapje të kutive, z. Berisha theksoi se me darët e ligjit do të çmontojë tërësisht perandorinë e krimit. Ai foli për rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit, të certifikuara nga institucionet ndërkombëtare. Berisha ftoi sërish opozitën që të kthehet në Parlament. "Zgjedhjet e 28 qershorit u certifikuan nga SHBA-të dhe partnerët evropianë, me përjashtim të kupolës punisto-mafioze që pretendon të kundërtën, për hir të interesave të tjera", - u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë pranoi se ka marrë shumë mesazhe nga Rama për kompromise, porse ai nuk ka pranuar për të ndarë pushtetin, pasi drejton një koalicion që funksionon. "Unë pranoj që t'i krijoj hapësirën e duhur opozitës, por jo kompromise për ndarje pushteti", - deklaroi Kryeministri Berisha.
Tabelë
Akuzat e Berishës, lista e klanit të Ramës
Kryeministri Berisha publikoi një dosje, ku përfshiheshin personazhe si Dulaku, Ylli, Kokëdhima, Sula etj., që kanë përfituar 500 mijë metra katrorë troje në qendër të Tiranës dhe në zonat e unazës dhe përreth saj, me vlerë totale prej 750 milionë eurosh.
“Janë bërë dhunime monstruoze pronash dhe Tirana është kthyer në një lavatriçe parash”, - deklaroi Kryeministri.
Ai akuzoi Ramën se ka dhënë lejet e ndërtimit në shkelje të ligjit. Ai bashkë me bashkëpunëtorët, sipas Kryeministrit, janë si një “kupolë mafioze”, ku çdo gjë e kanë bërë për përfitim të ardhurash.
Në akuza u përfshi Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, të cilin Berisha e quajti një “demokristian ateist” që ka përfituar një territor të madh toke në Tiranë.
Për Koço Kokëdhimën Berisha tha se ka në dosje 24 mijë metra katrorë leje ndërtimi, që tha se botuesi i “Shekullit” i ka përfituar nga lejet e dhëna prej Edi Ramës në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Për Tom Doshin Berisha pohoi se ka përfituar 26 mijë metra katrorë leje ndërtimi nga Edi Rama.
Për Fidel Yllin, i njohur si pronar i lokaleve “West” te Kullat Binjake, Berisha tha se ka përfituar rreth 49 mijë metra katrorë sipërfaqe për leje ndërtimi nga Edi Rama, “e tëra në dhunim të hapur të ligjeve”.
Për pronarin e “Tajvan” tek ish-parku “Rinia” në qendër të Tiranës, Besnik Sula, Berisha tha se ka përfituar nga Edi Rama 49 mijë metra katrorë sipërfaqe leje ndërtimi.
Më tej, Berisha denoncoi Sadri Abazin, për të cilin tha se ka përfituar 53 mijë metra katrorë sipërfaqe trojesh, dhënë në mënyrë abuzive nga Edi Rama me “3 mijë lekë të reja metri katror, brenda unazës”.
Berisha publikoi dhe 68 mijë metra katrorë që Arjan Leskaj, djali i Valentina Leskajt, ka përfituar për leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Berisha përmendi tokat te Xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shkrimtarëve etj. dhe përmendi se janë bërë shkelje në dokumentacionin e përfitimit të këtyre trojeve.
Personat të cilët janë akuzuar nga Berisha, për shkelje të ligjit, për përfitim të pronave të dhëna, me leje të Ramës, Kryeministri i renditi si më poshtë:
Artan Dulaku 145 366 metër katrorë
Sadri Abazi 53 800 metër katrorë
Arjan Leskaj 61 840 metër katrorë
Nard Ndoka 27 743 metër katrorë
Fidel Ylli 47 384 metër katrorë
Ilir Mata 21 350 metër katrorë
Tom Doshi 29 600 metër katrorë
Koço Kokëdhima 24 800 metër katrorë