Rama: Unë nuk jap leje ndërtimi, janë shpifje
Akoma pa mbaruar konferenca për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha, kreu i PS-së, Edi Rama, nisi të bënte gati fjalimin e tij për t’iu kundërpërgjigjur atij në një konferencë tjetër për shtyp rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme. Rama me një ton të ashpër dhe të lartë i ka hedhur poshtë si shpifje të gjitha akuzat që Kryeministri ngriti ndaj tij dhe një grupi deputetësh e biznesmenësh të lidhur me PS-në, të cilët kishin përfituar mijëra metra katrorë leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Rama tha se ai nuk jep leje ndërtimi në funksionin e kryetarit të bashkisë dhe as voton në mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit. Ai tha se i vetëm i firmos këto leje dhe vendimet i merr KRRT që është një organ i barazuar në vendimmarrje. “Dëgjuat klithmën e hajdutit që bërtet ‘kapeni hajdutin’. S’ka faj, është kapur mat dhe ka nisur një fushatë shpifjesh pa fre”, - tha Rama në nisje të fjalimit. Ai tha më tej se akuzat e Berishës ishin “palo dosje”. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi, por firmos kur jepen leje nga KRRT, e cila ka 9 anëtarë, ku 4 janë emëruar nga Sali Berisha, 4 janë të zgjedhur nga PS, i fundit është zgjedhur me konsensus në Këshillin Bashkiak”, - sqaroi Rama, duke hequr nga vetja përgjegjësinë për dhënien e këtyre lejeve. Ai tha më tej se deri në vitin 2007 e ka pasur Sali Berisha shumicën në KRRT-në e Tiranës. Kreu i PS-së kujtoi dhe rastin e para ca ditëve, kur akuzat kishin të bënin me të dhe me mënyrën se si ai ishte sjellë ndaj ish-gruas dhe partnereve të tij, duke i cilësuar si akuza monstruoze. “E bëri këtë kur e kuptoi se s’ka shanse të blejë me paratë e korrupsionit deputetët e PS-së. Me pseudo-dosje, duke përgojuar emra njerëzish të lirë të Republikës dhe deputetëve të PS-së që vijnë nga bota e biznesit”, - tha ai. Ndërkaq, duket se nuk do të mbetet vetëm në rrugën e deklaratave dhe kundër akuzave, pasi PS ka ndërmarrë dje një veprim ligjor kundër Kryeministrit, duke e paditur në gjykatë për shpifje lidhur me akuzat për shitjen në mënyrë antiligjore të tokës tek parku “Rinia”. Madje, Rama tha se do ta çojnë çështjen deri në Strasburg. Në fund të deklaratës ai krahasoi akuzat ndaj tij me akuzat që Berisha kur ishte në opozitë i bënte ish-kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Fatos Nano. “ A ju kujtohet kur përqafoi Fatos Nanon kur s’kishte lënë monstruozitet pa thënë për të?”, - tha Rama.