Eksploziv në fabrikën ku u vra 17-vjeçari, dyshohet për hakmarrje
Fikja e fitilit në momentin para shpërthimit ka qenë shkaku i evitimit të shpërthimit të një fabrike çimentoje në Fushë-Krujë. Kanë qenë punonjësit e fabrikës që konstatuan sasinë e eksplozivit të vendosur në hyrje të fabrikës, ku tri ditë më parë u vra nga roja një minoren, i cili dyshohej se kishte shkuar për të vjedhur. Bëhet fjalë për 800 gramë lëndë plasëse, fitili i së cilës ishte shpërndarë deri në afri të fabrikës. Sipas burimeve nga policia, sasisë së eksplozivit i ishte vënë fitili i cili ishte i ndezur, por pa u djegur plotësisht, duke evituar në këtë mënyrë shpërthimin. U ngrit një grup pune për të hetuar këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se eksplozivi mund të jetë vendosur nga persona që mund të kenë lidhje me familjen e adoleshentit të vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit nga roja i objektit. Ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Vrasja e 17-vjeçarit
Rreth orës 15:00 të së shtunës së 29 nëntorit, roja i fabrikës së vjetër të çimentos në Fushë-Krujë ka parë brenda ambienteve të saj një person. Pas disa sekondash, ky i fundit si pasojë e plumbit të marrë është shtrirë në tokë i plagosur. Menjëherë është lajmëruar policia, ndërkohë që ndaj të plagosurit 17-vjeçar është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por, adoleshenti Avdyl Zalla nuk mundi që të mbijetojë me gjithë ndërhyrjen e mjekëve si pasojë e plagëve të marra nga goditja me armë. Uniformat blu ngritën një grup pune, për të hetuar shkaqet e ngjarjes. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që roja i objektit, i cili qëlloi ndaj 17-vjeçarit, u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë rast. Agjentët sekuestruan disa gëzhoja, si dhe armën e krimit me të cilën ndodhi vrasja. Sipas deklaratave të bëra nga roja i objektit me inicialet M.R., ai ka dyshuar se viktima ishte futur në fabrikë për të vjedhur. Ai i kishte bërë thirrje adoleshentit që të ndalonte, madje kishte qëlluar edhe në ajër për ta trembur, por ky i fundit nuk i ishte bindur. Më pas, ky kishte drejtuar armën, duke e qëlluar dhe duke e plagosur rëndë. Ndërkohë policia po vazhdon hetimet në lidhje me ngjarjen, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.