E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i PS, edhe Mejdani kundër Ramës

Pas një pjese të anëtarëve të kryesisë dhe asamblesë socialiste, kundër Edi Rames rreshtohet edhe një prej figurave historike të Partisë Socialiste. Ish –Presidenti Rexhep Mejdani i është bashkuar Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, e zyrtarizuar një ditë më parë gjatë një takimi të gjerë me anëtarësinë, ku gjithashtu morën pjesë themelues të Partisë Socialiste dhe deklaroi se braktisja e Parlamentit e dëmton jo vetëm opozitën, por edhe vendin. Por ish–Presidenti Mejdani e ka kritikuar Edi Ramën edhe për programin e Partisë Socialiste. Më 16 maj, zoti Mejdani i dorëzoi Edi Ramës librin e rekomandimeve, një studim i 400 intelektualëve shqiptarë. Por sot, ai thotë se këto rekomandime që iu ofruan Ramës për t’i konsultuar, nuk dihet se ku janë, sikundër dhe programi i Partisë.
“Rekomandimet ishin një veprimtari e intelektualëve të shquar ku shumë profesorë të Universiteteve duke përpunuar mendimin alternativ në përputhje me realitetin shqiptar, këtë mendim ja pasqyruam dhe kryetarit të Partisë për ta shfrytëzuar por jo për ta konsideruar si program partie, pasi programi i Partisë propozohet nga strukturat e partisë, ndërkohe nuk morëm vesh ku shkuan ati rekomandime.”
Takimi i parë i Lëvizjes për Mendimin Ndyshe me anëtarësinë socialiste vendosi si pikë kryesore rikthimin e socialistëve në Kuvend. Ben Blushi, një prej iniciatorëve të kësaj Levizjeje, theksoi edhe njëherë se Edi Rama po e përdor bojkotin dhe Partinë Socialiste për interesa personale dhe se me qendrimin e tij në krye të PS–së, socialistët do të shënojnë vetëm humbje e se rrezikojnë edhe bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›