Bojkoti i PS-së, Olli Rehn: Papjekuri politike
Olli Rehn i bën thirrje opozitës të shkojë në Kuvend dhe të bëjë një politikë në mënyrë të qytetëruar. Deklarata e zyrtarit të Komisionit Evropian u bë dje në një aktivitet të Presidencës së BE-së për rajonin, nga ku Rehn deklaroi se bojkoti i Partisë Socialiste është në kundërshtim me maturinë politike demokratike. “Nuk është një mënyrë evropiane e të bërit të politikës. Të gjithë duhet të sigurojnë, që duhet të përmbushen kushtet, që ky bojkot të marrë fund. Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagenit është stabiliteti politik dhe maturia demokratike. Bojkoti parlamentar mund të përkufizohet si në kundërshtim me maturinë demokratike”, - deklaroi Olli Rehn. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria po bën një progres të mirë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deklarata e Rehn u bë gjatë një konference të organizuar me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal të Presidencës suedeze që kishte në fokusin e saj përpjekjet e rajonit për kapërcimin e krizës ekonomike dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Në të morën pjesë 200 zyrtarë të lartë të rajonit, vendeve anëtare të Ballkanit, Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Norvegjisë. Pjesëmarrësit e konferencës dhanë mbështetjen e tyre të fuqishme për integrimin evropian të Ballkanit në tërësi dhe shtynë qeveritë përkatëse të përparojnë me shpejtësi në rrugën e reformave. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, ministrat e Jashtëm të BE-së bënë thirrje për dialog në Kuvend. “BE-ja kërkon nga të gjitha partitë politike në Shqipëri të vazhdojnë një dialog konstruktiv politik, duke u përfshirë në Parlament”, - thuhet në qëndrimin e dalë pas takimit të shefave të diplomacive të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, në konferencën për shtyp, ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se palët duhet të ulen për të zgjidhur mosmarrëveshjet. “Për sa i takon gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, situata është e errët për momentin. Unë do t'u bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen. Mund të mos bien dakord ndonjëherë, por duhet marrëveshje për të çuar vendin përpara. Dhe këtë mesazh mendoj se e gjeni në këto konkluzione, mesazhin që nëse ata duan të vijnë në Bruksel, nëse ata duan të jenë pjesë e Evropës, Evropa ka dialog mes liderëve politikë, edhe në raste mosmarrëveshjesh. Ne shpresojmë se Shqipëria do t'i bashkëngjitet kësaj tradite sa më shpejt të jetë e mundur”, - deklaroi Bildt. Shqipërisë i vlerësohen kriteret për liberalizimin e vizave dhe ministri Bildt theksoi se ky proces do të finalizohet në mesin e vitit të ardhshëm.