Prokuroria: Imuniteti na pengon të luftojmë korrupsionin
Prokuroria e Përgjithshme kërkon heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, por edhe atyre të sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, pasi është kthyer në një pengesë. Deklarata u bë dje në tryezën e organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe OSBE, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja. Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit, përfaqësuesi i Prokurorisë, Arben Kraja, në prani në ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, deklaroi: “Imuniteti i zyrtarëve të lartë dhe të drejtësisë mbetet një problem për të luftuar korrupsionin”. Kraja tha më tej se duhet të luftohet korrupsioni në nivelet e larta dhe sipas tij, imuniteti i zyrtarëve duhet të hiqet. Duke marrë shembuj për luftën ndaj korrupsionit në nivelet e poshtme të administratës, përfaqësuesi i Prokurorisë deklaroi se ka ardhur koha që të goditet korrupsioni në nivelet e larta. “Korrupsioni duhet të goditet në nivelet e larta të zyrtarëve”, - deklaroi Arben Kraja, i cili shtoi se duhen parë më me vëmendje raportet e shoqërisë civile si dhe medias në luftën kundër korrupsionit.
Ambasadori i OSBE-së
Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, tha në fjalën e tij se Shqipëria ka bërë hapa para në luftën kundër korrupsionit, por, sipas tij, ka ende punë për të bërë. Ai renditi disa reforma të cilat kanë kontribuar në luftën kundër këtij fenomeni. “Shqipëria vitet e fundit ka ndërmarrë disa masa të guximshme kundër korrupsionit”, - tha ambasadori Bosch, duke renditur reforma të tilla si strategjia antikorrupsion, sistemet online të prokurimeve dhe biznesit, politikën e decentralizimit, masat dhe kontrollet ndaj zyrtarëve të administratës etj. “Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t’u ndaluar duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës. Një shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive. Veç kësaj, angazhimi i institucioneve në luftën kundër korrupsionit shpesh nuk reflektohet në mënyrën e duhur për zbatimin konsekuent të legjislacionit ekzistues dhe në zbatimin e tij të detyrueshëm”, - vërejti më tej ambasadori i OSBE-së. Nga ana tjetër ai shtoi: “Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet ta vendosë veten si një organ plotësisht të pavarur”.
Krimi financiar
Në tryezën e organizuar nga OSBE-ja dhe ILDKP-ja, folën edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve. Nga Prokuroria e Përgjithshme, konkretisht njësia e Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, foli Altin Dumani, i cili deklaroi: “Që nga muaji shtator, kur u ngrit kjo njësi, janë shënuar disa suksese në luftën kundër korrupsionit”. Dumani tha më tej se duhet të ketë më shumë kontrolle në shërbimet publike, ndërsa theksoi se ka pasur procedime penale edhe ndaj zyrtarëve të drejtësisë, si prokurorë edhe gjyqtarë të dyshuar për korrupsion. Në lidhje me deklaratat e pasurisë, ai tha se janë proceduar penalisht prokurorë, gjyqtarë si dhe ambasadorë. Në këtë takim, foli edhe Arben Doçi, drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. “Gjatë vitit 2009 kemi pasur 190 raste të dyshuara për pastrim parash. Janë bllokuar 4 milionë euro, ndërsa janë sekuestruar nga Prokuroria edhe Gjykata 3.1 milionë euro të dyshuara”, - tha Doçi, duke shtuar më tej se po ndërmerrte nisma që kjo drejtori të ketë më shumë kompetenca, jo vetëm informuese, por edhe vepruese. Tryeza e djeshme u organizua nga ILDKP-ja me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), ku u diskutua me përfaqësues të institucioneve kryesore të investigimit dhe organizatat joqeveritare për krijimin e strategjive mbi përmirësimin e imazhit publik të administratës shtetërore.