E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i opozitës, LMN nis takimet në Bruksel

Islami: Unë, zoti Blushi dhe zoti Harasani jemi në Bruksel për të dhënë një pamje të situatës politike në vend, të krijuar sidomos pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.

TIRANË- Lëvizja për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste vendos ti kërkojë ndihmë ndërkombëtarëve për të bindur drejtuesit socialistë, që të lejojnë që grupi parlamentar socialistë të kthehet në Kuvend.

Për këtë qëllim, një përfaqësi e lartë e kësaj lëvizje, e përbërë prej deputetëve Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani kanë nisur një vizitë në Bruksel ku dhe pritet të lobojnë për çështjen e tyre, pra rikthimin e socialistëve në parlament.

Që nga dita e djeshme të tre të zgjedhurit socialistë gjenden në Bruksel ku kanë programuar që të zhvillojnë një sërë takimesh së pari për të diskutuar rreth situatës politike dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën që e ka përfshirë atë që pas bojkotit që opozita i ka bërë institucionit ligjvënës.

Edhe pse 3 deputetët e njohur si kundërshtar të linjës zyrtare të partisë Socialiste nuk kanë asnjë mandat për të përfaqësuar këtë forcë në marrëdhëniet me të huaj, ka qenë iniciativa e tyre personale për të lobuar në favor të ndërprerjes së bojkotit, si vijimësi e luftës së tyre që kanë bërë brenda vendit në gjithë këto muaj.

Duke folur nga Brukseli sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami ka bërë të ditur se axhenda e tyre e takimeve do të jetë e pasur, por pa bërë të ditur se cilin prej përfaqësuesve të Bashkimit Europian apo institucioneve të veçanta të tij do të takonin.

"Unë, zoti Blushi dhe zoti Harasani jemi në Bruksel për të dhënë një pamje të situatës politike në vend, të krijuar sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit, situatë që u shoqërua me bojkotin e PS-së dhe një situatë që kërkon një zgjidhje sa më të afërt në funksion edhe të çështjes së liberalizimit të vizave dhe të marrjes së statusit të vendit kandidat", - tha Islami për mediat.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se një hap i tillë u bë i detyruar edhe për shkak të nevojës për zgjidhjen e kësaj krize në funksion të procesit të liberalizimit të vizave.

Nga ana tjetër në këto takime tre deputetët të zgjedhur nga listat e PS-së kanë vendosur që të bëjnë jo vetëm opozitën brenda radhëve të tyre, por edhe ndaj qeverisë. Siç edhe deklaroi Islami në këto takime do të flitet edhe për keqqeverisjen e djathtë, të cilës sipas tyre u mungon edhe një opozitë parlamentare.

"Qëllimi jonë është gjithashtu të paraqesim shqetësime edhe sa i përket qeverisjes aktuale, por edhe për të dhënë opinionin tonë se si mund të zgjidhej kjo situatë', - tha Islami. Kjo vizitë vjen vetëm një ditë para se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të miratojë rezolutën për situatën politike në Shqipëri, ku ndër të tjera klasës politike shqiptare i bëhet thirrje për zgjidhjen e krizës, duke vënë theksin tek rikthimi i PS-së në Kuvend, si dhe hetimin e zgjedhjeve nga mazhoranca.

Ndërkohë që përveç kësaj lëvizje në arenën ndërkombëtare, LMN-ja deklaroi ditët e fundit nëpërmjet Ben Blushit se kërkon që grupi parlamentar socialistë të votojë në mënyrë të fshehtë për rikthimin ose jo në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›