E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, të djathtët e rregullores "shkrijnë" Topallin

Zbardhet letra e plotë e PS-së drejtuar KE-së. Në letër evidentohet shkelja e rregullores së Kuvendit nga ana e kryetares, Jozefina Topalli

STRASBURG - Këshilli i Europës zhbllokon kredencialet e Shqipërisë. Komisioni
për Rregulloren e Punës, Imunitetet dhe Çështjet Institucionale ka vendosur dje shkrirjen e kredencialeve të Shqipërisë.

Por, edhe pse u trumbetua fort nga mazhoranca si një fitore e kësaj të fundit, në fakt edhe në mbledhjen e komisionit ka luajtur jo pak rol përfaqësimi politik i anëtarëve. Në këtë komision, nga 23 anëtarë vetëm 7 prej tyre janë socialistë, ndërsa shumica e pjesës tjetër janë të partive të djathta dhe të qendrës së djathtë.

Shkrirjen e kredencialeve të Shqipërisë, e ka konfirmuar dje edhe një prej anëtarëve të këtij komisioni, deputetja e PD-së, Lajla Përnaska. Dy ditë më parë, Asambleja Parlamentare vendosi ngrirjen e delegacionit, pas shqetësimit të ngritur nga përfaqësuesi i grupit parlamentar socialist, Andreas Gross.

Ky i fundit, gjatë diskutimit mbi kredencialet, në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare, ngriti si problem çështjen e legjitimitetit të delegacionit shqiptar, duke evidentuar shqetësimin se përbërja nuk paraqitet konform rregullave të këtij organizmi, për sa i përket balancimit politik.

"Z. President, në emër të grupit socialist do të doja ngrija problemin e kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë. Ne kemi informata të mjaftueshme të themi se ne mendojmë se Delegacioni i propozuar nuk paraqet përbërjen e parlamentit, ashtu siç duhet sipas rregullave tona", - u shpreh Andreas Gross, dy ditë më parë.

Zbardhet letra e PS-së

Dhe në fakt shqetësimi i ngritur nga deputeti zviceran, Andreas Gross, bazohej në një letër dërguar nga Partia Socialiste, konkretisht Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë, Arta Dade.

Për shkak të deklaratës së ashpër të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila aludonte për atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë, nga ana e PS-së, zyrtarë të selisë rozë publikuan dje letrën e plotë.

Në letrën e dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Mateo Sorinas, Arta Dade ngre shqetësimin e shkeljes së rëndë të rregullores së Kuvendit dhe të rregullores së Asamblesë Parlamentare të KE-së nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

"Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 7, pika 3, Kryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend.

Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por dhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një", - thuhet në letrën e drejtuar nga Dade.

Ajo sqaron se opozita e drejtuar nga socialistët ka pasur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme megjithëse ka pasur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot.

"E njëjta gjë, - thuhet në letër, - ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist, që gjithnjë është përballur me dhunimin dhe margjinalizimin nga ana e Kryetares së Kuvendit. Ky akt dhunon gjithashtu Nenin 6 - Kredencialet - të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës".

Dade sqaron në letër se bazuar në Nenin 7 të Rregullores së AP-së së KE-së, PS-ja sfidon një nga anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, duke lënë të kuptohet për emrin e Kastriot Islamit."

Ju kërkojmë juve, zoti Sekretar i Përgjithshëm, që duke ushtruar autoritetin tuaj të respektohet rregullorja e AP-së së KE-së dhe të ndërmjetësoni që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë të ndalojë së provokuari opozitën në Shqipëri nëpërmjet diversionit që bie ndesh me projekt raportin dhe projekt rezolutën e publikuar nga Komisioni i Monitorimit të kësaj Asambleje të nderuar, që i bëjnë thirrje të gjitha palëve për t'i dhënë fund krizës politike dhe institucionale nëpërmjet dialogut", - thuhet në letër.

Raporti

Ndërkohë, raporti i Komisionit për Rregulloren e Punës, Imunitetet dhe Çështjet Institucionale do të diskutohet nesër në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Dy ditë më parë, Byroja Parlamentare propozoi që çdo raport nga Komisioni për Rregulloren e Punës, Imunitetet dhe Çështjet Institucionale mbi kërkesën e kredencialeve të z. Gross të delegacionit shqiptar të debatohej ditën e enjte pasdite.

Kodheli: Kuvendi drejtohet nga sharlatanë politik

TIRANË - Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, reagoi pas deklaratës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas së cilës, selia rozë po dëmton imazhin e Shqipërisë. "Sot të gjithë shqiptarët kuptuan edhe një herë se Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga sharlatanë politikë të cilët njësoj si ne kohen e diktaturës, shpikin armiq të brendshëm që sabotojnë punët e Shqipërisë.

Mjaft më me gënjeshtra! Ndryshe nga Jozefina Topalli, që tund letra përpara kamerave, por nuk guxon t'i lexojë ato, ne jemi transparentë. Kjo është letra që Partia Socialiste i ka dërguar Këshillit të Europës, ku kërkojmë asgjë më tepër sesa zbatimin e përpiktë të rregullores që Topalli e shkel me të dy këmbët", - tha Kodheli.

Ajo shtoi se, Kryetarja e Parlamentit, është ajo që po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë. "Ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë", - tha ajo.

Topalli: PS bëri atentat ndaj Shqipërisë

TIRANË - "Atentat ndaj Shqipërisë", - kështu e ka cilësuar kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli letrën që Partia Socialiste i ka nisur Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku i kërkonte asaj që të verifikonte mandatet e delegacionit shqiptar në të, me pretendimin se ai nuk përfaqësonte balancat politike në vend.

Në një dalje të posaçme për mediat, kryeparlamentarja me një ndjenjë triumfimi për vendimin që Komiteti për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg mori për çështjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar, ka akuzuar ashpër selinë rozë për njollosje të imazhit të Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. "Kam pritur zyrtarisht këtë vendim, që zyrtarisht të përgjigjem me fjalët e Europës dhe jo me fjalët e mija.

Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet dhe mashtrimet e autorëve të këtyre trakteve kundra Shqipërisë, të përcjella në Strasburg me letër dhe me telefon", - tha Topalli në fjalën e saj.

Kryeparlamentarja tha se nuk kishte dyshuar për asnjë moment që Këshilli i Europës do të merrte këtë vendim për Shqipërinë, ndërsa denoncoi se ky ishte rasti i tretë kur sipas saj, PS-ja tenton të cenojë imazhin e Shqipërisë, duke akuzuar kryesocialistin Edi Rama si autor të këtij veprimi.

Pa lexuar asnjë fjalë të letrës së PS-së, Topalli deklaroi se PS-ja, përmes Arta Dades, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Europës, heqjen e kredencialeve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare. Kryetarja e Kuvendi u mor gjatë dje më akuzat ndaj PS-së ndërkohe që nuk argumentoi në asnjë fjalë të saj se kur e kishte zbatuar rregulloren e Kuvendit dhe mbi cilat kritere kishte përfshirë Kastriot Islamin në delegacionin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›