E Diel, 1 Nëntor 2026

Boksi kuqezi rrezikon të mungojë në Evropian

Kombëtarja e boksit rrezikon të mos marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Boksit, i cili do të zhvillohet në Angli. Shkak është bërë refuzimi i vizave për të gjithë pjesëtarët e ekipit kuqezi nga ambasada britanike. Në një komunikim me mediat, trajneri i përfaqësueses së boksit, Zef Gjoni, është shprehur se "ambasada britanike sot (dje) refuzoi vizat edhe pse kishim ftesë nga Federata e Boksit në Angli". Gjithnjë sipas trajnerit Gjoni, justifikimi për mosdhënien e vizave ishte i pakuptimtë, pasi zyrtarëve të dorezave u është thënë se nuk kishin deklaruar bizneset, në një kohë që ata janë sportistë. Delegacioni shqiptar, duke përfshirë këtu boksierët, trajnerin dhe zv/presidentin përbëhej nga tetë persona. Aktiviteti në vendin e mbretëreshës nis më 6 nëntor dhe, sipas drejtuesve, ekipi duhet të mbërrijë në ishull të paktën tri-katër ditë përpara fillimit. Megjithatë, mospajisja me viza rrezikon që Shqipëria, e cila pretendon të marrë trofe në këtë aktivitet madhor, të mos jetë e pranishme. Më tej, në daljen e tij përpara mediave, trajneri Zef Gjoni tha: "Të gjitha dokumentet ishin në rregull, kemi shkuar në çdo vend të botës dhe askush nuk na ka penguar. Të vetmet shtete që na kanë krijuar probleme, vazhdoi më tej ai, janë Greqia dhe Anglia". Kampionati Evropian i Boksit është një aktivitet që zhvillohet një herë në dy vjet dhe për përgatitjen sa më të mirë, kuqezinjtë janë stërvitur intensivisht prej disa muajsh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›