Bolivi/ Autobuzi bie në greminë, 19 të vdekur
Bolivia përgjaket sërish. E ashtuquajtura "rruga e vdekjes" u ka marrë jetën të paktën 19 personave pasi një autobus ka rënë në greminë në një distancë prej 70 kilometrash nga kryeqyteti bolivian, La Paz. Lajmi është bërë i ditur nga mediat lokale. Aksidenti ka provokuar gjithashtu plagosjen e të paktën 26 të tjerëve. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të fillimjavës, pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin në timon. Po sipas të dhënave të bëra publikë nga radio lokale Erbol, autobusi ka rënë rreth 100 metra në një greminë. Ata që pësuan dëme më të lehta në trup janë dërguar në spitalet më të afërta ndërsa ato që kanë pësuar dëme serioze janë dërguar në spitalet e La Paz-it. Autostrada Los Yungas, e njohur ndryshe me emrin "rruga e vdekjes", shtrihet ndërmjet La Paz-it dhe qytetit të Coroicos dhe në të janë regjistruar shumë aksidente me pasoja tragjike për jetën e banorëve vendas, por edhe atyre të huaj.