Bollano kërkon ndryshimin e gjyqëtarit

Vasil Bollano kërkon ndryshimin e gjyqtarit që po gjykon procesin gjyqësor ndaj tij. Pas kësaj kërkese procesi gjyqësor ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollanos është shtyrë për një seancë të ardhshme. Kryebashkiaku akuzohet për 21 milionë lekë dëm, nga heqja e tabelave në gjuhën shqipe, për t'i zëvendësuar ato në gjuhën greke. Seanca u zhvillua sot paradite ku kryebashkiaku te Himares Vasil Bollano, nuk mori pjesë por u përfaqësua nga avokati i tij Petraq Curri. Avokati i Bollanos ka habitur trupin gjykues kur ka kerkuar qe te largohet gjyqtari Shkelzen Selimi, që ka ne ngarkim dosjen kryebashkiakut. "Unë kërkoj që kjo çështje të mos gjykohet nga ju zoti gjyqtar", i është drejtuar avokati Petraq Curri, gjyqtarit Selimi. Ndërkohë ky i fundit i ka kërkuar arsyen, por avokati nuk ka komentuar, thjesht ka shtuar se "unë kam depozituar kërkesën për ndryshim të trupit gjykues dhe dua që të merret në konsideratë". Nga ana e tij Selimi eshte përgjigjur se "kjo është një situatë që zgjidhet nga drejtuesit e gjykatës të cilët mund të vendosin nëse do ta largojnë gjyqtarin nga kjo cështje apo jo". Në muajin korrik, Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve disamujore, dërgoi në gjykatë në cilësinë e të pandehurit Bollanon, duke e akuzuar si përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese nëpër rrugët e bregdetit Qeparo - Qafë Llogara. Në fillim kanë qënë banorë të zonës që janë ankuar për heqjen e tabelave. Ata njoftuan prokurorinë për këto veprim, e cila nisi hetimet për këtë denoncim. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Por deri tani Bollano nuk është paraqitur asnjëherë në gjykatë, por është përfaqësuar nga avokati i tij, nëpërmjet të cilit ka bërë cdo kërkesë që ka dashur, sic ishte dhe kjo e fundit, ndryshimin e gjyqtarit të cështjes. Pas kësaj kërkese, në rast se merret parasysh, pritet që të hidhet shorti mes gjyqtarëve, për të parë kush do ta marrë këtë çështje, seancën e ardhshme.