E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolshevizma demokratike

Sigurisht që jo vetëm në shoqërinë tonë postkomuniste janë vënë re simptoma të ringjalljes e të rishfaqjes së mendësisë bolshevike në qeverisje, në ndërmarrëdhënie, në sendërtimin e drejtimin e partive, OJF-ve, Bashkive e Komunave, në komunikim dhe në perceptim. Por tek ne, për arsye historike e gemetike, të panjohura e të patrajtuara më parë, kjo “trashëgimi” e nakatosur ca me bajraktarizëm e ca me ideologji totalitare ka qenë dhe ka mbetur më e spikatur. Ana më e prekshme e bolshevizmës, ku shumica i jep të drejtë vetes të sundojë mbi pakicën/at, njëlloj si bolshevikët që i patën dhënë vetes justifikimin të bëjnë kërdi mbi menshevikët, ku më i forti, më i pasuri, më i pushtetshmi përherë ka të drejtë, është raporti që krijon Babai, përndryshe udhëheqësi historik me familjen, me partinë, me turmën, me anëtarësinë, me mjedisin, me Fjalën, me të drejtën, me votën, me opozitën, me kundërshtarët dhe oponentët e tij. Sot, nëse nuk di të drejtosh si një bajraktar bolshevik në krye të një partie a institucioni, je i dështuar, i pasuksesshëm, i dobët, e pse jo, edhe i padobishëm. Mjafton të shikosh modelin Berisha, i cili, për hir të së vërtetës tanimë e ka injektuar shembullin e vet imitues jo vetëm mbi ndjekësit e vet, po në të gjithë hierarkinë, që të bindesh për sa më sipër. Atij tanimë i imitohet jo vetëm të folurit, vështrimi largpamës, gishti tregues, grimasa e ngrirë e një preokupacioni të pashuar, fjalori, zëri, sharjet, superlativat me “më i shkëlqyeri…” …, por sidomos mënyra e komandimit, agresiviteti, arsyetimi, arroganca, komunikimi, sjellja në publik. Është e njëjta dukuri si asokohe kur Enveri vuri kasketë me strehë dhe të gjithë instruktorët e komiteteve të partisë u kasketëzuan.
“Ne na ka votuar populli”, - thonë shpesh zëdhënësit e zëmarrëesit e sotëm bolshevikë, prandaj kemi të drejtë të kërkojmë e të marrim të gjitha pushtetet, jo vetëm Presidentin e Republikës dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Sipas logjikës bolshevike “NE” që kemi pushtetin mund të shesim e tenderojmë, mund të privatizojmë e të përvetësojmë, mund të gënjejmë dhe të hipotekojmë, mund të ribëjmë edhe historinë, pa dhënë kurrë e kurrkund llogari. Dhuna verbale e shumicës mbi pakicën quhet politikë e suksesshme, normë demokratike. Vota popullore sakaq transformohet në pabarazi, në imunitet, në pandëshkueshmëri. Parimi themelor i bolshevizmës demokratike qënka, njëlloj si në diktaturë: Kush bashkohet me shumicën dhe kush i bën hosanara partisë në pushtet (kupto: kryeministrit) fiton më tepër fuqi, poste, favore e të drejta. Pakica, opozita, oponenca, vlerësohen si armiqësi, dobësi, defekt, cen. Nuk ka gjë më të bajatosur se parulla: Të parët jeni ju, qytetarët, pa jemi ne udhëheqësit. Por në çfarë qënkemi të parët e të barabartë ne? Në ndarjen e pasurisë kombëtare, të meritave, të punësimit, apo të të drejtave kushtetuese? Në pasurim jo, në vjedhje jo, në ndëshkim jo, madje as në respektimin e semaforit nëpër udhëkryqe! Nuk mund të flitet për demokraci në një shoqëri ku ligjin e bën pabarazia! A do të ishte SHBA ajo që është në se zezakët nuk do të kishin të drejta të barabarta me shumicën e të bardhëve? Cilësia e një demokracie matet me respektimin e pakicave, të dobëtëve, të pambrojturve, le më pastaj të opozitës.
Do të ishte interesant të bëhej një sondazh që të zbulohej sa janë ata qytetarë që e hanë këtë mashtrim tipik bolshevik aq tepër të mediatizuar vitet e fundit: Sikur, pavarësisht nga bindjet politike, nga posti, nga lidhjet nepotike, nga origjina krahinore, apo edhe nga përkatësia fetare shqiptarët e sotëm qënkan bërë, (më në fund!) të barabartë jo vetëm mes vedi, por edhe me evropianët. Kjo është ndoshta pika e vetme që na bashkon të gjithë: Zor të gjesh sot një qytetar me mend në kokë ta besojë këtë! Katundarë të konvertuar në qytetarë, të cilët kujtojnë se për këtë transformim meritën e ka vetëm Ai, udhëheqësi, në fakt edhe mund të gjesh. Të tillët janë kontigjenti që e ushqen, që e voton e që e mban gjallë bolshevizmën bashkë me populizmin bajat. Gjithsesi, në vend të një sondazhi të kësollojtë, ndoshta më e udhës do të ish t’i drejtohemi vetes me këtë pyetje të thjeshtë: A jemi përnjimend të barabartë ne shqiptarët me udhëheqësit, me krerët partiakë, me pushtetarët që kemi zgjedhur? Nëse jo, sistemi demokratik është gënjeshtër, iluzion, shpresëbjerës jo vetëm për pakicat, por për të gjithë.
***
Në fillimet e demokracisë shumica besonte se të rinjtë që po vinin në pushtet, ndryshe nga bllokmenët, do të silleshin ndryshe, do të ndërtonin një sistem të qëndrueshëm e pa hile barazie dhe lirie, ku do të bëhej e pamundur që posti “të të dhuronte” imunitet, pasuri, merita të pamerituara, privilegje, arbitraritet. Janë shumë pak njëzet vjet në jetën e një populli, por qënkan boll kur, ata që krijuan një parti provuan se mund të shijohet një pushtet i pakufizuar e i pakontrollueshëm, falë instalimit të sistemit demokratiko-bolshevik ku pabarazia shitet si barazi, ndërsa barazia, edhe pse e garantuar me Kushtetutë, përkthehet kësisoj: Në kapitalizëm nuk ka barazitizëm, që do të thotë se qytetarët lindin të barabartë, por nuk mund të jetojnë të barabartë. Barazitizmi i diktaturës qëllimisht ngatërrohet me barazinë e demokracisë. Mjafton një vizitë në Gjirin e Lalëzit për ta prekur këtë të vërtetë.
Besoj se në kaq pak vite tashmë e ka marrë të tatëpjetën gënjeshtra demagogjike se edhe ne mund të jeni qytetarë të barabartë, kusht ky pa të cilin nuk mund të qëndrojë asnjë minutë më këmbë një sistem demokratik. Për të kuptuar sa larg jemi si shoqëri nga ky qëllim mjafton të dëgjosh se sa shumë flitet sot për imunitetin. Duket sikur ata që, për shkak se merren me politikë, meqë nuk u ndjekan të barabartë me ne, duket sikur se po vuajnë e andaj po hakaten të lirohen sa më parë nga kjo “ngarkesë” e rëndë dhe padëshiruar e imunitetit...Kujë e zezë! Po diskutohet pra që udhëheqësit të jenë apo të mos jenë të barabartë para Ligjit me ne!
Pikërisht kjo është shfaqja më tipike e mendësisë bolshevike: Të dish të shtiresh sikur nuk je ai që je!...Sikur vërtet nuk je i barabartë me zgjedhësit, por ama kjo gjë nuk të pëlqen!
***
Që në fjalën e parë të betimit, Presidenti i ri Nishani padashur shqiptoi një fjali që e ilustron përbukuri idenë e pabarazisë së institucionalizuar tashmë në të gjithë hierarkinë tonë shtetërore. Sipas tij, dyert e Presidencës do të jenë të hapura edhe për opozitën. E pra, si mund të jetë ndryshe, si mund të tregohet kaq “bujar” një President, qoftë edhe i emëruar, i një vendi demokratik sa të guxojë t’i hapë derën opozitës “armike”? Në të vërtetë një ish-kadeti i lejohet një lajthitje e tillë, por po të vëresh se të tilla mufka, shpesh të qëllimshme, në thelb bolshevike, bën përditë kryeministri, i cili ka mbi njëzet vjet që e drejton këtë vend dhe që, sidoqoftë, duhej të kishte mësuar, së paku, alfabetin e demokracisë, nuk mund të mos besosh e kuptosh që pabarazia nuk është instaluar vetëm mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, por edhe mes pozitës dhe opozitës. Në një shoqëri ku opozita shkelet, fyhet, poshtërohet e trajtohet si armike nuk mund të ketë demokraci funksionale, as konsensus, as marrëveshje, por vetëm bolshevizëm demokratik. Shtypi ynë nuk merret me analizën e deklarimeve publike të zyrtarëve të lartë, ndaj ia vlen, besoj, të analizohet një fjalim i fundit i Berishës, nxjerrë nga faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave. Vini re se si e gjykon ai pluralizmin:
“...Rëndësi ka pazari dhe në shkëmbim të kësaj kërkon (Rama, shën. ynë) atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, institucionin e të cilit e mbajti dy vjet pa kryetar. Ai kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i të gjithë gjyqtarëve të këtyre gjykatave, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë”.
Sipas kryeministrit opozita e konkretisht Rama kërkoka që të zgjedhë krerët e institucioneve, për të cilën, në fakt akuzohet ai vetë dhe që, tanimë, me emërimin e Nishanit President e ka rrugën të hapur për këtë synim. Atë nuk e vret aspak absurdi: Si mund të zgjedhë opozita krerët kur është pakicë e kur nuk i ka votat? Opozita, sipas tij, dashka të ndodhë ajo “që ndodhi me Avokatin e Popullit”. Po a nuk u zgjodh Avokati i Popullit me konsensus, me votat e përbashkëta, me marrëveshje e për këtë u përshëndet nga Brukseli se u plotësua një nga 12 pikat? A mund të quhet në demokraci “gabim i pafalshëm” e “pazar” marrëveshja, mirëkuptimi, konsensusi me opozitën për çështje kaq të rëndësishme si zgjedhja e organeve kushtetuese në mënyrë që ato të mos jenë nën sundimin e bolshevikëve demokratë? Kushtetuta prandaj ka shpikur formulën e zgjedhjes së tyre me 84 vota! Formula e 84 votave i detyron palët të bëjnë marrëveshje, të bien në ujdi, të zgjedhin më të mirët, të sigurojnë pavarësi të institucioneve. Kurse Berisha del e thotë se opozita kërkoka të zgjedhë krerët e institucioneve kushtetuese edhe pse nuk ka as 50 plus 1 vota! E këtë “zbulim” e bën një kryetar veteran partie që në zgjedhjet e vitit 2009 ka marrë 40,18 % të votave, pra as një shumicë të thjeshtë! Por edhe sikur një parti e vetme t’i fitojë 84 vende në Kuvend, d.m.th një shumicë absolute, e cila të lejon të ndryshosh edhe Kushtetutën, si ka ndodhur në Hungari, në një demokraci funksionale quhet detyrim jetik e i pakushtëzuar për demokracinë që të respektohen e të dëgjohen pakicat jo vetëm politike, por edhe ato kulturore.
“...Të dashur qytetare e qytetarë, kjo është Kushtetuta e sundimit të pakicës. Por kjo nuk do t’i vendoset kurrë, këtij vendi! Për 45 vite me radhë, ky vend është sunduar nga një pakicë. Por kanë ikur njëherë e përgjithmonë kohërat, kur një pakicë mund të sundojë këtë vend. Ju garantoj se, në rast se ne do të bënim këtë hap, kërkesa tjetër e zotit Rama do të ishte që kryeministri të zgjidhet me 84 vota. Kjo sepse standardi i tij është sundimi i pakicës. Në rast se Presidenti dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese bllokohet nga pakica, kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet nga pakica, Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga pakica, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet nga pakica, atëherë përse të mos emërohet edhe qeveria nga pakica!! Ky është varianti i sundimit dhe i diktatit të pakicës mbi shumicën”.
Nuk lipset të jesh trushkulur partiak për të mos e kuptuar qëllimin e deklarimit të mësipërm. Bolshevikët shfarosën menshevikët (pakicën) dhe kundërshtarët politikë me zjarr e me hekur, me vrasje, eliminim dhe internime në emër të shumicës, me “të drejtën e shumicës” që “nuk mund të lejonte diktatin e pakicës mbi shumicën”. E pra, jo se Berisha nuk e di këtë gjë kaq të thjeshtë, por ai e thotë këtë që të bindë ndjekësit e berihajit se përpara “rrezikut të sundimit të pakicës”, të një “Kushtetute të sundimit të pakicës ia vlen të ushtrohet dhunë verbale mbi këtë lloj opozite “armike” që kërkon të na lerë edhe jashtë BE-së! Kësisoj ligjërohet postulati: Ujku fle, po opozita që don të marrë pushtetin “me dhunë” e “të vendosë sundimin e diktatit të pakicës” nuk fle, ndaj duhet bërë gjithçka, qoftë edhe vjedhja e votave, për të shpëtuar “shumicën” qeverisëse! Afërmendsh, njëlloj si pararendësit, as Berisha nuk do të ishte ai që është, nëse kjo mendësi bolshevike do të ishte vetëm e tij.
Ja pra përse bolshevizmi demokratik tek ne ka një lulëzim të paparë e të pandalshëm krahasuar me të gjitha vendet e ish-Lindjes!

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›