E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamerat e sigurisë dhe një përrallë moderne me Ciklop!

Nga Myslim Pasha

Në këtë kohë të diskutimeve të mëdha: të kodit zgjedhor, të imunitetit etj, del një hollësi fare e vogël, një ngjarje që ska pse ti gërricë njerëzinë se është një lajle- lule e përrallës: kanë liruar përgjegjësin e filmimeve të 21 Janarit!

Ne po e rrëfejmë si një përrallë prej dhimbjes dhe dëshpërimit.

Sikur ky Ciklopi na paskësh vendosur një njësysh të ri, vegël që të shikonte se kush hynte dhe kush dilte në shpellën e madhe të Kryeministrisë, në atë shpellën e tij mitike, se kështu ndjehej më se i sigurt, edhe pse i kish vënë shkëmbinjtë në hyrje.

Ishin bërë shpikje aq të mëdha dhe bota regjistronte veten e saj për sigurinë se ndjehet e kërcënuar nga brenda dhe nga jashtë. Kamerat, me sensorët e fuqishëm, ti japin gjithë lëvizjet e veprat që kryhen, në kohën e regjistrimeve të mëdha elektronike, të imazheve të tejskajshme e të thella të teknologjisë.

E natyrshme në kohë. E pranueshme për sigurinë. Kështu edhe për Kryeministrinë e kërcënuar në 21 janarin që do të ngelë në analet arkivale e pazbërthyer, si të ish një mister i madh.

Dhe ja prokurorët vrapuan për të marrë kamerat dhe sensorët përkatës, se ato rrëfejnë gjithë dramën dhe tragjedinë njerëzore të fiksuar për vetveten dhe për të tjerët.

Kamerat ishin aty, ato skanonin korridorin dhe hyrjen, ato skanonin dhe përcillnin në kujtesën elektronike këmbimin e zjarrit, lëvizjen dhe drejtimin e armëve, tytat e nxehta dhe flurudhat e plumbave, zërat e lartë dhe lëvizjen e duarve, urdhrat e dhëna, tablonë elektronike pamore për një tragjedi në Bulevard dhe hyrje të shpellës së Ciklopit.

Kështu kish menduar Ciklopi dhe kish turfulluar.

Ishte tamam si një sy magjik i dytë pas syrit të Ciklopit të madh ajo tërësi e kamerave, të sigurisë dhe informacionit, të dëshmisë dhe drejtësisë.

Por çndodhi? Ato çuditërisht u prishën apo u fshinë, u vunë ditën e parë apo të dytë, e kish përgjegjësinë stafi i parë apo ky i dyti, serveri kryesor apo ai dytësor, ishin përbri apo përfund, apo nuk ka nevojë fare për kamera dhe sensorë

Jo mor tungjatjeta!

Interneti, kamerat, skanerët janë mrekulli se jemi në shekullin e informacionit por ne nuk kemi nevojë për to se rasti ishte shumë i veçantë që ka të bëjë me kërcënimin e jetës së shpellës

Ciklopi ka shpellën e tij, shpella e tij nuk ka lidhje me botën, por me syrin e tij. Se syri i tij janë vetë kamerat

Kështu kjo përrallë, me moral të sakatuar, është e vërtetë në Shqipëri.

Dje e liruan njeriun përgjegjës, i cili ish caktuar të merrej me dëshmitë drithëruese dhe tragjike, pra, njeriun që përkujdesej teknikisht.

Gjykata dje e hodhi poshtë ekspertizën amerikane, e cila pat konkluduar se qytetari Kasaj i kishte fshirë filmimet.

Ndërkaq kamerat e kujtesës njerëzore nuk mund të fshihen dot edhe pse drejton një Ciklop.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›