E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolt: “Mund të jap akoma më tepër”

Rekord i jashtëzakonshëm, numra mbresëlënës. Fenomeni Usain Bolt befasoi botën me kohën e tij 9”58 në garën e 100 metrave.

Në kampionatin botëror të Berlinit hyri në histori: 41 hapa gjithsej, shpejtësia mesatare 37,58 km/orë, shpejtësia në vijën e finishit 41,38 km/orë, 10.4 metra të përshkruara në një sekondë, 2.4 metra të kaluara në çdo hap.

“Dhe tani – thotë duke qeshur – nuk e di se kur mund ta thyej këtë rekord.”
Bolt ndihet një legjendë e gjallë? “Po punoj vazhdimisht për t’u përmirësuar dhe të jeni të sigurt që do ta bëj gjithmonë këtë. Nuk e di se kur mund ta thyej këtë rekord, por gjithçka është e mundur. Në Berlin doja të zbrisja poshtë 9”60 dhe jam shumë i kënaqur që ia arrita.”

Fitorja në Berlin ishte më e lehtë se ajo paraardhëse? “Pata një nisje të mirë dhe në 50 metrat në vazhdim kuptova që gjithçka ishte nën kontroll. Pjesa tjetër e garës ishte në rregull.”

“Marsiani” do të qeshë, të bëjë shaka, madje edhe në pistë, por kur vjen momenti i garës, e gjen gjithmonë përqendrimin e duhur: cili është sekreti? “Kur më duhet të vrapoj, aq më tepër në një kampionat botëror, e di gjithmonë çfarë duhet të bëj për të mos u shpërqendruar. Është e lehtë të gjesh stimujt e duhur dhe për mua ishte një kënaqësi të garoja përballë këtyre kundërshtarëve: Tajson Gej dhe Asafa Pauell jo vetëm që më motivuan mua, por gjithashtu dhanë një kontribut edhe për atletikën.”

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›