Bomba bakteriologjike që s’po menaxhohet dot nga strukturat edviniste
“Epidemia” është një tregim i njohur i shkrimtarit italian Alberto Moravia, në të cilin rrëfehet historia e një fshati të prekur nga një sëmundje, ku banorët bien erë të qelbur, dhe në pamundësi të një ilaçi, nuhatja u korruptohet dhe era e keqe prezantohet si një parfum. Kësisoj sëmundja zhduket jo pse shërohet, por sepse mohohet. Nuk ka më një dallim mes plehrave dhe gjithçkaje tjetër. Ngjan që edhe epidemia e akuzave ndaj kryeministrit Berisha të jetë arma (sëmundja) me të cilën Edi Rama kërkon të fitojë (infektojë) maxhorancën, ta rrëzojë përtokë, ashtu siç bie një trup kur është plot me mikrobe mbytëse. E provoi me injektimin e avokatit jo socialist në garën për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kundër kandidatit të PD-së, Elvis Çefa. Kjo bombë bakteriologjike duket se i plasi në dorë, ngase këtë lëvizje brenda partisë vështirë se e kanë pritur mirë. E provoi, por humbi. Prandaj shkroi edhe një editorial “zjarrfikës” të polemikave të ndezura nga vendimi për të kandiduar avokatin e ish-Ministrit të Mbrojtjes, në çështjen “Gërdeci”.
Kuptohet vetiu, me lojën për kandidatin për anëtar të KLD-së, Rama tentoi të trafikonte sa më shumë vota të pandershme jashtë maxhorancës. Tentoi, por humbi. Prandaj shkroi në editorial për “priftërinj dhe avokatë”, ku të parët i falin mëkatet, kurse të dytët i fshehin ato. Me editorialin e pafajësisë së përzgjedhjes së kandidatit hodhi poshtë iterin e mëparshëm të përzgjedhjes së Avokatit të Popullit. Këto standarde të dyfishta të mekanizmit të përzgjedhjes së meritës kanë qenë gjithmonë brenda asaj çfarë përfaqëson Rama në politikë: pragmatizëm hipokrit. Sigurisht dhe për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë ka përdorur dy standarde, së pari kriteri kryesor e qenies biznesmen dhe kriter i dytë është qenia jeniçer i tij. Përbërja e sotme parlamentare e Partisë Socialiste përfaqësohet nga këto dy kategori: e para materiale, e dyta morale.
Gjithashtu loja e hileve dhe goditjeve poshtë brezit dëften për dëshpërimin e një udhëheqësi të dyzuar, që s’po di sesi të dalë nga moçali që ka krijuar, ku sa më shumë lëviz aq më shumë fundoset. Goditja e fundit poshtë brezit, e lëshuar nga Rama është trillimi “mafioz” i zërit të popullit, organit zyrtar të internacionales socialiste, ku kriminalizohet kryeministri Berisha për motive të dobëta politike. Kryesocialisti Rama e amplifikoi sulmin e “çështjes së interkonjeksionit”, duke e shpërndarë si fillim nëpër gazetat pranë tij, dhe më pas në televizionet kombëtare shqiptare, si përtypje e silazhit turbo-nacionalist të prodhuar në hambarin e kushedi se kujt. E amplifikoi, por humbi.
Sidoqoftë Edi Rama tashmë e ka humbur takimin me të vërtetën dhe shoqërohet për kinema me miqtë e gënjeshtrës, që e qetësojnë derisa opiumi të mbarojë efektin izolues. Ndërsa aleatët e Ramës janë zgjuar dhe po largohen me shpejtësi nga “tymi”, që sipas deduksioneve logjike, do të thotë se PS-ja po merr flakë së brendshmi, militantët e opozitës socialiste janë të hutuar nga propozimet e rilindjes për të vdekur përsëri gjatë zgjedhjeve parlamentare. Një histori që përsëritet për fatin e keq të socialistëve me zëmër të dobët.