Bomba e Albatrosit
Kosovë, verë e vitit 1998. Lufta sapo ka filluar. Një armë e shkatërrimit në masë ka nisur rrugëtimin drejt Beogradit. Nëse bomba shpërthen, kjo do të shënojë fundin e luftës në Kosovë, por njëherësh edhe fillimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore. Me pak fjalë, kjo është fabula e romanit “Bombë në Beograd” të shkrimtarit Albatros Rexhaj, i cili sapo është botuar nga shtëpia botuese ‘Dudaj’.
Ky roman është një rrëfim i zhanrit triler, i shkruar në stilin e prozës filmike, plot aksion, ankth dhe intriga spiunazhi, ku përfshihet edhe CIA amerikane. Në sfond të gjithë kësaj është dashuria mes dy heronjve kryesorë. Një dashuri me shumë ndjenja dhe pak fjalë.
Një ngjarje e imagjinuar, por megjithatë ngjashmëritë me persona dhe ngjarje reale janë të mundshme.
Ky libër vetëm brenda së shtunës, pasi arriti në Panairin e Librit, u shit në më shumë se 200 kopje. Autori i librit mbajti një takim me lexuesit, ndërsa promovimi i librit do të bëhet të enjten në Tiranë, e më pas edhe në Prishtinë.
Në një bisedë për Express, Rexhaj tha se “Bombë në Beograd” është një vepër artistike, dhe si e tillë nuk është një përmbledhje dokumentare.
“Megjithatë, në këtë roman unë jam shërbyer me motive nga ngjarje të vërteta të cilat më pas ua kam përshkruar heronjve të mi imagjinarë. Pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të luftës do të njohin shumë sekuenca nga heroizma të vërtetë që janë realizuar gjatë luftës. Në anën tjetër unë jam munduar që të paraqes në mënyrë artistike disa fakte të cilat janë harruar, qoftë nga neglizhenca qoftë nga mosdija”, tha ai.
Një nga këto është për shembull fakti se në ditët e para të luftës, ushtarët e UÇK-së kanë arritur ta vrasin komandantin e përgjithshëm të brigadës elite të parashutistëve të Nishit. Rexhaj tregon se Nënkoloneli Goran Ostojic është vrarë në bjeshkët e Jasiqit në një pusi mjeshtërore dhe ky fakt nuk është përmendur asnjëherë. Duhet cekur se Ostojic është konsideruar si ushtaraku model për të gjithë ushtrinë serbe, i dalluar për vepra trimërie gjatë luftës në Bosnjë, përderisa sot në Serbi titulli më i lartë i nderit në ushtrinë serbe është Dekorata Ostojic.
“Vrasja e Ostojicit ka qenë një ngjarje e madhe e cila e ka dridhë në themele moralin e ushtrisë serbe dhe kjo shtrohet për herë të parë si detaj në romanin tim”, tha Rexhaj.
Romani është i shkruar në një stil tjetër jo të rëndomtë për letërsinë shqipe. Vet Rexhaj thotë se synon të dallohet me një stil të veçantë.
“Unë i përcjell trendët botërore dhe vazhdimisht lexoj titujt e ri që botohet në botë. Stili bashkëkohor i të shkruarit dallohet me vetinë se ka shumë veprim, qoftë të brendshëm apo edhe të jashtëm. Përderisa Coelho zhvillon veprim të fuqishëm të brendshëm, Dan Brown, Robert Ludlum e të ngjashëm e zhvillojnë një veprim të fuqishëm të jashtëm. Ky stil i të rrëfyerit është në hap me dinamikën e jetës bashkëkohore ku lexuesi synon që kjo dinamikë të kalojë edhe në imagjinatën e tij. Unë synoj ta arrijë këtë dhe mu ky është detaji që mua më ka lidhur me ‘Dudaj’ pasi që kjo shtëpi botuese e kultivon letërsinë bashkëkohore. Mendoj se nëpërmjet romanit tim ‘Dudaj’ synon ta thyejë tabunë se kjo lloj letërsie nuk mund të kultivohet në shqip”, tha Rexhaj.
Rexhaj është shkrimtari i vetëm i gjeneratës së re që ka arritur të depërtojë në një nivel të tillë në Shqipëri. Ai thotë se me këtë shtëpi botuese e lidh specifika e fabulës dhe mënyra e të rrëfyerit.
“Kjo është pika jonë e përbashkët. Tjetër element me rëndësi është fakti se unë jam botuar nga ‘RIZZOLI RCS’, që është botuesi më i madh në Itali dhe ky detaj i ka hapur dyert vetvetiu. Unë jam i nderuar për faktin se një botues serioz si ‘Dudaj’ ka vendosur që të investojë kohë dhe mjete në mënyrë që ta botojë veprën time”, tha ai.
Rexhaj shton se ka vendosur që mu tani ta botojë këtë roman sepse e ka përshtypjen se 13 vjet pas luftës disi e kemi humbur respektin për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e madhe të popullit tonë. Sipas tij, në mesin e luftëtarëve të lirisë ka pasur njerëz me përgatitje dhe guxim mu sikur të ishin ushtarë të njësive speciale të ushtrive më të mira të botës. Thotë se gjeneratat e reja duhet t'i dinë këto gjëra.
“Në anën tjetër nëse ne nuk e kujtojmë historinë tonë, kush do ta bëjë këtë për ne. Njerëzit që kanë sakrifikuar e kanë bërë këtë për një qëllim më të lart dhe jo për motivet që ne sot i përfolim. Historia jonë duhet të jetë pjesë e krenarisë sonë dhe ajo duhet mbrojtur me fanatizëm”, tha Rexhaj.
Romani në të vërtetë është një përpunim një versioni të mëhershëm. Këtë vepër ai e ka shkruar në vitin 1998 por atëherë, shkaku i rrethanave, e ka pas një jetë shumë të shkurtër. Versioni që është tani është një version i përpunuar në stil dhe në mënyrë të të rrëfyerit përderisa fabula është pak a shumë e njëjtë.
Romani ka shumë detaje teknike, përshkrime armësh, analiza balistike, taktikash luftarake, detaje nga praktikat e punës së shërbimeve sekrete, detaje nga biografitë etj. Saktësia e tyre ndonjëherë është edhe e frikshme.
“Në këtë pikë kam pasur shumë kujdes që saktësia të jetë sa më e madhe. Këto përshkrime, që ju po i quani teknike, e pasurojnë rrëfimin duke e bërë më të besueshëm. Në një formë kjo është një shprehje e një përvoje jetësore që unë e shpreh indirekt në roman. Unë besoj se shkrimtari nuk mund të shkruajë përmendësh por ai duhet ta njohë tematikën që e shtjellon”, tha Rexhaj.
Në romanin e tij në mesin e personazheve ka disa prej figurave famëkeqe si ish shefat e sigurimit serb Stanisic, Gjeneral Lukic etj., por edhe personazhe shqiptare. Personazhet serbe ai i ka identifikuar me emra real ndërsa ata shqiptar jo. Në lidhje me këtë ai thotë se ka dashur t'i ikë ndonjë kontraverze.
“Duhet cekur se loja me personazhe reale është diçka e rëndomtë në letërsinë bashkëkohore por unë kësaj here jam treguar më i rezervuar. Mendoj se është një zgjedhje e arsyeshme”, tha Rexhaj.
Paralel me ngjarjen e kemi tërë kohën një vijë të fuqishme romantike në mes të dy personazheve. Rexhaj nuk e ka bërë këtë vetëm për sharm, por thotë se beson në dashuri. “Besoj fuqishëm se në thelb ne jemi qenie romantike dhe pavarësisht telasheve gjithnjë gjendet një dritare ku dashuria vjen në shprehje. Agroni dhe Linda dashurohen sepse dashuria gjithnjë mbijeton pavarësisht të gjithave”, u shpreh Rexhaj.
Ky nuk është libri i parë i tij dhe duket se nuk do të jetë as i fundit, pasi që pas këtij romani ka në plan projekte të tjera.
“Jam në dilemë që të filloj me serinë e novelave për KONDOR-in, një rrëfim i njohur për lexuesit e mi të para vitit 1999, apo të vazhdoj me një triler spiunazhi të quajtur ‘Tera Borea’. Tera Borea është emri antik i malit Tora Bora por njëherit edhe emri antik i maleve të Sharrit dhe i Alpeve shqiptare. Tera Borea, Tora Bora që të gjitha e kanë një kuptim e ai është Toka me Borë. Dosido do mendoj edhe pak dhe do vendosi. Gjithsesi romani i ardhshëm duhet të dalë para vitit të ri”, tha Rexhaj, i cili është edhe administrator i webfaqes dhe faqes në Facebook ‘Filozofia Urbane’, e cila ka mbi 30 mijë anëtarë.