E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit, interesi arrin majat 9.15 për qind

 

Fabiola Çela

Nëse një individ dëshiron të investojë paratë e tij në bono thesari, kjo është periudha më e favorshme. Interesi i bonove të thesarit ka arritur majat. Kjo si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së qeverisë për para.
Interesi
Për herë të parë interesi i bonove të thesarit 12 mujore ka arritur në 9.15 për qind, nivel ky më i lartë i shënuar deri më sot. Sipas ekspertëve, shkak për këtë rritje të interesit të bonove thesarit është kërkesa e lartë e qeverisë për para. Këtë vit, duke qenë edhe vit elektoral, qeveria ka rritur ndjeshëm kërkesën për borxh, çka ka ndikuar edhe në rritjen e interesit të bonove të thesarit. Ndërkohë që vitet e kaluara, periudha më e mirë për të blerë bono thesari ishte fundi i vitit, dhe kjo si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së qeverisë për borxh dhe mungesë relative të likuiditetit në treg. Ndërkohë e kundërta ndodhte në tremujorin e parë të vitit. Por këtë vit ka ndodhur e kundërta, për herë të parë interesi i boneve të thesarit 12 mujore ka arritur majat, në ankandin e fundit Yield-i mesatar i ponderuar ishte 9.15 për qind. Përveç qeverisë, me ndryshimet e bëra në ligj tani individët mund të marrin pjesë vetë në ankandet e bonove të thesarit.  
Blerja
Bonot e thesarit janë letrat me vlerë, që qeveria i hedh në tregun financiar, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Sa herë qeveria ka nevojë për para, pret këto letra me vlerë, që quhen bono thesari dhe i shet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Bonot e thesarit mund të blihen pranë bankave tregtare apo edhe Bankës së Shqipërisë, ose filialeve të saj në rrethe. Eshtë e mjaftueshme paraqitja e letërnjoftimit së bashku me paratë që do investohen. Pas derdhjes së parave merret vërtetimi nga banka si dhe plotësohet një deklaratë që i bashkangjitet kërkesës. Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të ankandit, mund të shkojmë të tërheqim interesin. Ankandet për bono thesari me maturim tremujor zhvillohen çdo javë, ndërsa ato për bono me maturim gjashtëmujor dhe dymbëdhjetëmujor, çdo dy javë. Sipas përllogaritjeve me interesat aktuale të boneve të thesarit, individëve u leverdis më shumë të investojnë paratë e tyre në bono thesari sesa t’i depozitojnë pranë bankave të nivelit të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›