Dollari fiton terren
Monedha amerikane ka fituar terren ndaj lekut. Dje në Agjencitë e Këmbimit Valutor, një dollar u ble me 98,3 lekë dhe u shit me 98,8 lekë, ndërsa një euro u ble me 129,9 lekë dhe u shit me 130,4 lekë. Duke iu referuar treguesve në ditët e mëparshme, rezulton se të premten një dollar u ble me 98,1 lekë dhe u shit 98.7 lekë. Ndërkohë në fund të kësaj jave, dollari është rritur me 1 pikë në kursin e këmbimit ndaj lekut. Kështu monedha shqiptare, leku, pas forcimit kundrejt dollarit javën e kaluar, ka nisur të humbasë pikë gjatë kësaj jave në këmbimet valutore kundrejt dollarit. Ndërkohë, dollari është forcuar edhe kundrejt fundjavës së kaluar, kur blihej me 97 lekë dhe shitej me 97,5 lekë. Dollari e ka pasur kuotën më të lartë në këmbimet valutore ndaj lekut gjatë vitit të kaluar në muajin nëntor, kur blihej me 96,7 lekë. Ndërsa për sa i përket këmbimit me euron, leku, gjatë javës së fundit ka qenë në kuota të qëndrueshme në këmbimet valutore ndaj monedhës evropiane. Në tregun valutor, një euro blihej me 129,8 lekë dhe shitej me 130,3 lekë.