E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit shqiptar në minimum historik

Interesat e bonove të thesarit kanë kapur një tjetër minimum historik. Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, bonot njëvjeçare, letra me vlerë përmes të cilave qeveria merr borxh në tregun e brendshëm, u tregtuan me interes 5.9 për qind. Si raporton TCH, ky është niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Interesat kanë rënë për të gjitha afatet e maturimit, përfshirë edhe borxhin afatgjatë, i cili merret përmes obligacioneve. Qeveria shqiptare ka rreth 460 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, pjesa më e madhe e të cilit është në bono njëvjeçare.

Ulja e interesave në këto nivele, sipas ekspertëve në Ministrinë e Financave, mund t’i kursejë buxhetit këtë vit rreth 50 milionë euro. Por, ndonëse në dukje një lajm i mirë për financat e shtetit, ulja e interesave për borxhin e qeverisë është në fakt simptomë e krizës në të cilën është zhytur sektori privat. Depozitat në sistemin bankar janë në nivelet më të larta historike. Por, edhe me këtë likuiditet të bollshëm, bankat nuk kreditojnë privatët.

Kjo edhe për mungesë kërkese. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar rritja vjetore e kredisë për sektorin privat ra në minimumin historik 0.7 për qind, ndërsa në dy muajt e parë të vitit ajo madje ka hyrë për herë të parë në territor negativ.

Në këto kushte, qeveria është shndërruar në klientin e vetëm ku bankat investojnë fondet e tyre, çka po dikton edhe uljen e shpejtë të interesave./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›