E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasjanët kërkojnë formimin e dy komunave

Banorët e fshatrave të Hasit nuk janë të kënaqur me formimin e një qendreje të Komunës. Ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, që t’i formojnë dy qendra të Komunës në Has. Kjo kërkesë e tyre ka dal në një takim që përfaqësuesit e të gjitha fshatrave të Hasit, kanë mbajtur me zëvendësministrin e MAPL-së Basri Musmurati, transmeton PrizrenPress

Përfaqësuesi i fshatit Gjonaj, Haziz Hodaj tha se formimi i një qendreje të Komunës nuk është zgjidhje e mirë për Hasin. ” Zgjidhja më e mirë për Hasin është formimi i dy komunave”, tha Hodaj. Sipas tij, me formimin e një qendreje komunale hasjanëve nuk i’u ofrohen shërbimet. “Përkundrazi me një qendër të Komunës shumicave i’u largohen se sa ofrohen shërbimet”, tha Hodaj.

Ai ka kundërshtuar që qendra komunale e Hasit të jetë në fshatin Rogovë. “Nëse vendoset që qendra komunale e Hasit të mbetet në Rogovë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka mundësi të forojë dy qendra komunale, atëherë fshatrat e Hasit të Prizrenit ma mirë është që t’i lini ku kanë qenë me Prizren”, tha Hodaj.

Përfaqesuesi i sfahtit Planejë, Liman Shigjeqi, ndërkaq ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që ka marrë një vendim të tillë, pa biseduar me banorët e fshatrave të Hasit.”Është dashtë një herë të bisedohet me ne e pastaj të formohet Komuna. Ne nuk jemi kundër Komunës, por kundër qendrës që është fol se do të jetë në Rogovë”, tha Shigjegji.

Sipas tij, nëse qendra e Komunës mbetet në Rogovë, banorët e fshatit Palanjë nuk do t’iu bashkangjiten kësaj komune”, tregoi Shigjeqi.

Përfaqësuesit fshatrave të Hasit të Prizrenit dhe Gjakovës, kanë kundërshtuar ashpër formimin e qendrës komunale në fshatin Rogovë. Ata kanë thënë se fshati Rogovë nuk identifikohet me asgjë me Hasin. Sipas tyre, fshatit Rogovë mund t’iu bashkangjiten vetëm fshatrat e Anadrinisë, por jo edhe fshatrat e Hasit.

Zëvendësministrin e MAPL-së Basri Musmurati tha ndërkaq se Hasi ende nuk është bërë komunë.”Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të inicoi procedurat e formimit të komunës në Has. Për të arritur deri të ky cak së pari duhet të kryhen disa punë dhe pastaj të kalojë në Kuvendin Kosovës”, tha Musmurati. Ai mohoi zërat se qendra komunale është paraprë të jetë në fshatin Rogovë. ” Për qendrën do të vendosëni ju, kështu siç jeni tubuar sot të bashkuar”, tha Musmurati.

Ai tregoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave për formimin e komunës në Has, është marrë në bazë të disa kërkesave që MAPL-ja ka marrë nga përfaqësuesit e fshatrave të Hasit. Ai kërkoi që ky vendim i Qeverisë të mos politizohet nga asnjë subjekt politik. “ Unë e kam një lutje.Mos e politizoni këtë vendim të Qeverisë së Kosovës , sepse komuna është në të mirë të qytetarëve të kësaj ane. Kur të fillon fushata zgjedhore merrni flamujt partiak dhe luftoni për të udhëhequr këtë komunë”, tha Musmurati.

Ai premtoi se kërkesën për formimin e dy komunave, do ta dërgojë në Qeverinë e Kosovës. “Unë për herë të parë po e dëgjoj këtë kërkesë dhe ju premtoi se do t’ia përciell kryeministrit Thaçi”, tha Musmurtai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›