Bonusi i pranverës deri 100 euro, Rama ndan tituj pronësie në Himarë: Mbyllim regjistrimin e tokave

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një takim në Himarë për çështjen e pronësisë për të lajmëruar pensionistët mbi bonusin e pranverës.
Tre ditë pasi qeveria ndryshoi buxhetin, duke krijuar një llogari për mbështetjen e pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, Kryeministri Rama deklaroi se pensionistët do të marrin nga 50 deri në 100 euro bonus.
“Kemi caktuar edhe bonusin e pranverës, i cili do të jepet përmes një fondi të hapur nga qeveria shqiptare për pensionistët në BSH. Ata me pension nën 200 euro do të marrin 100 euro bonus, ndërsa ata që kanë mbi 200 euro do të marrin 50 euro bonus,” tha Rama.
Kryeministri Rama shpërndau në Himarë hipotekën e shtëpive të banorëve të kësaj Bashkie, duke premtuar se së shpejti do të mbyllet edhe procesi i regjistrimit të tokave.
“Duke vazhduar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritura të shtëpisë, më lejoni që t’ju garantoj se, ashtu siç bëmë realitet përmbylljen e këtij procesi, ashtu do të bëjmë realitet edhe mbylljen e procesit të AMTP-së,” shtoi Kryeministri.
Gjatë takimit në Himarë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se po punohet për një projekt për ndërtimin e një parkimi nëntokësor, si dhe po shqyrtohet një ndërhyrje në qendrën e këtij qyteti, i cili është një prej pikave që tërheq më shumë turistë në Shqipëri. /vizionplus.tv