Boom! Punëtoria e karikaturës politike
Nuk është bërë akoma një vit që kur karikaturisti gjerman Heiko Sakuraj erdhi në Shqipëri për disa seminare me studentë të arteve. Rezultatet e këtij kërkimi në fushën e karikaturës politike jepen në librin me titull "Boom!
Punëtoria e karikaturës politike" i cili prezantohet këtë javë, më 26 mars nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe Shoqata Kulturore shqiptaro-gjermane "Robert Schwartz". Pranverën e shkuar, Sakuraj zhvilloi disa seminare me studentë shqiptarë në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias Marubi.
U punua mbi tema shqiptare si tragjedia në Gërdec, për ndotjen, për problemet e përditshme shqiptare, për rrugët, mungesën e energjisë dhe të ujit, për problemin e vizave, deri për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, dhe Evropës së Bashkuar. Në këtë mënyrë studentët janë orientuar për tek "historia", "teknika" dhe me këto të dyja bashkë për tek estetika dhe efekti i saj tek njerëzit.
Heiko Sakuraj është karikaturist permanent dhe i pavarur për Westdeutsche Allgemeine Zeitung dhe karikaturat e tij botohen rregullisht në Financial Times Deutschland, Welt am Sonntag, Berliner Zeitung dhe në revistën "Cicero".
Punët e Sakurajt i cili përfaqëson një brez të ri të karikaturistëve gjermanë u ekspozuan në një galeri private në Tiranë.