E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, romët refuzojnë t'i marrin

GJIROKASTËR


GJIROKASTËR- Rreth 40 familje të komunitetit rom në qytetin e Gjirokastrës refuzojnë të pajisen me kartat e identitetit dhe madje edhe të shkojnë të votojnë më 28 qershor.

Vendimi unanim i familjeve që jetojnë në periferi, në lagjen "Zinxhira" ka të bëjë me gjendjen e tyre të mjerueshme. Fakti që në asnjë lloj sistemi, askush prej drejtuesve të pushtetit vendor apo qendror nuk është interesuar për fatin e tyre, ka bërë që romët të revoltohen.

"Çfarë janë këto kartat e identitetit dhe për çfarë më hyjnë në punë? Unë nuk dua karta, po punë që të ushqej fëmijët? Ku t'i gjej unë 36 mijë lekë vetëm që të bëj këto që thonë ata?

Që të gjithë mbledhim kanaçe dhe mezi na del që të hamë bukë thatë. Ne kemi vendosur të gjithë që jemi këtu të mos i bëjmë ato kartat, se as për të votuar nuk do të shkojmë.

Ne shohim njerëz vetëm kur vijnë zgjedhje, po nuk do vazhdojmë më kështu", është shprehur Ruzhdi Tahiri, njëri prej banorëve të kësaj zone. "Po pse rrojtje është kjo jona, kjo është çnjerëzore e që do të thotë "ha një copë bukë dhe fli si qeni".

E shikoni se çfarë bëhet këtu rrotull? Nuk kemi asnjë gjë. Ne nuk vjedhim, as grabisim, vetëm shesim ndonjë gjë për të rrojtur. Pse duhet të tregojnë racizëm për ne?" shprehet më tej Mersin Shoshari.

Familjet e komunitetit rom prej më shumë se tri dekadash jetojnë në periferi të qytetit të Gjirokastrës, në lagjen "Zinxhira" në disa baraka të ngritura posaçërisht për ta. Janë absolutisht më të diskriminuarit në të gjitha drejtimet dhe jetesa e tyre është jashtë çdo norme, ku mungon ushqimi, kushtet bazë të higjienës, ndriçimi e gjithçka tjetër.


Peqin, plagosen babë e bir në një aksident


PEQIN - Dy të plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti në Peqin. Babë e bir mbetën të plagosur rëndë mbrëmjen e së shtunës, kur automjeti me të cilin ata po udhëtonin u përplas me një mjet tjetër në aksin rrugor Elbasan-Peqin. Siç bën të ditur policia, 42-vjeçari Dervish Hoxha dhe djali i tij i mitur, 13 vjeç, udhëtonin me automjetin tipit "Ford" me targë PE 2021 A, kur u përplasën në fshatin Lolaj me mjetin "Benz" me targë DU 6765 D, që drejtohej nga Florian Hasanlliu.

Si pasojë, 42-vjeçari dhe djali i tij u plagosën rëndë dhe aktualisht ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalin e Elbasanit. Nga hetimet rezulton se shkak i aksidentit është shpejtësia tej normave të lejuara, me të cilën qarkullonte drejtuesi i mjetit tip "Benz", tashmë i shoqëruar në komisariatin e Elbasanit për sqarime të mëtejshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›