Njeriu, ky tekanjoz
Kur letërsia merr një detyrë që politikat e ditës në Shqipëri nuk e përmbushin. "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" e Ylljet Aliçkës, është një letërsi e angazhuar qytetare, me një rol vetëkritik dhe kritik edhe ndaj stereotipeve të një populli liridashës të bukës, kripës dhe zemrës që krijoi letërsia patetike e gjoja patriotike e shekullit të kaluar
Në ripunimin që i ka bërë romanit të tij të parë "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" Ylljet Aliçka pohon se e ka vënë më shumë theksin mbi dukuritë se sa mbi personazhet, që janë jo pak, një vargan diplomatësh dhe përfaqësuesish ndërkombëtarë në kosheren e tyre bazë në Tiranë.
Megjithëse shkruante në hyrje se çdo ngjashmëri me njerëz a ngjarje reale është thuajse e rastit, dy vjet më pas, autori, me rastin e botimit të ripunuar, pranon se gjatë rishikimit është ndikuar dhe nga ndonjë reagim personal i ndokujt që mund të jetë vetidentifikuar në libër.
Ai thotë se është fjala "më shumë për një rishikim artistik, edhe pse me kohë krijova bindjen se në variantin e parë nuk kam arritur dot t'i shmangem ndonjë mllefi apo emocioni vetjak nga ana ime, gjë që mund ta ketë cënuar nivelin artistik."
Cili është fenomeni?
Që njerëzit e cilësdo race, krahine të Evropës e më gjerë, i hyjnë një loje të çuditshme sapo zbresin në një vend për të cilin kanë bindjen se i përket një kulture dhe mënyre orientale të sjelljes.
Është të vetëndjerit e kësaj elite të huajsh në Shqipëri në rolin e prindit që kur e ka fëmijën në ngarkim e quan të natyrshme të ushtrojë tirani mbi të. Nga ana tjetër, është fëmija që përpëlitet pa rehat përballë këtij miti prindëror të ndërkombëtarëve si autoritet i lartë, i pushtetshëm, i dijshëm, i kudondodhur, prej të cilit s'ka nga të ikë pa fituar pavarësinë mendore, intelektuale, financiare.
"Ambasadori i sapoemëruar konstatoi se këtu kuajt dukeshin të pamësuar, d.m.th krejt si të zotët e tyre", vëren Roshi, vendasi që rrefën përvojën e nëpunësit në përfaqësinë ndërkombëtare. Këta besojnë se kanë aftësinë që "t'i pikasim shenjat e prapambetjes aty ku syri juaj nuk i vë re, pasi jeni ambientuar me të keqen, kuptohet për shkak të prapambetjes nga regjimi diktatorial."
Përkufizime të llojllojshme vijnë nga të huajt për këtë vend dhe qytetarët e tij që i shohin si një tufë që ka nevojë të marrë prej tyre mësimet bazë të civilizimit.
Inteligjent e bën këtë roman linja besnike që ndërton Aliçka, ajo e zbulimit të një identiteti të shumëfishtë të kësaj grigje ndërkombëtarësh.
Ky nuk është një roman thjesht për luftën e përjetshme të njeriut ndaj burokracisë, por një roman për natyrën njerëzore e cila tashmë në rrethana të privilegjura (diplomatë Perëndimorë në një vend të pazhvilluar) zbulon orekse sadiste, tekanjoze, të mbrapshta, zell poshtërues, cinguni, prirje për të cilat natyra e njeriut ka dhënë prova se i shfaq edhe në rrethanat për mbijetesë.
Pas kostumit fringo dhe aromës së freskët së pastës së rrojës është një identitet superior dhe shpirt i vogël sa i këtij ndërkombëtari që i shkruan këtë letër pastrueses vendase:
"E nderuar zonjë,
Këtë radhë, me gjithë modestinë time të thellë, do të më duhet t'ju jap disa këshilla në lidhje me ca dukuri që kanë të bëjnë me përdorimin e solucioneve larëse e disa çështje të tjera të ngjashme me to.
Zonjë e nderuar
Unë kam përshtypjen, madje do të thosha bindjen, se peshqirët e duarve duhen larë vetëm një herë në javë, pasi po të lahen shpesh, konsumohen më shpejt, makina larëse konsumohet gjithashtu, shpenzohet solucion larës me tepricë, shpenzohet ujë elektricitet dhe, mbi të gjitha, ju ngarkon ju me punë suplementare..."
Romani i Aliçkës është i pamëshirshëm për zbulimin e pjesës kafshërore të qenies njerëzore, e panginjur për ta dominuar tjetrin, të dobëtin, për ta shtrirë përdhe deri sa me bindjen që ky tjetri s'ka për t'u bërë njeri ndonjëherë, ta rraskapitë si maja e këpucës kur gjuan në një stomak bosh.
Për këtë abuzim me misionin që politika i jep individëve të cilët para se të jenë profesionistë janë njerëz (gjë që fatkeqësisht nuk mund të matet as të testohet menjëherë), tregojnë kapitujt "Trishtimi i zonjës Uajt" apo "Një mision filantropik".
Ndërsa kreu "Vizita e zonjës së rreptë K. dhe vërejtja e radhës ndaj nëpunësit Rosh" të bind se "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë" e Ylljet Aliçkës, merr një detyrë që politikat e ditës në Shqipëri nuk e përmbushin në asnjë rast.
Romani është një hap i madh për tek letërsia e angazhuar qytetare, sepse ka një rol vetëkritik dhe kritik edhe ndaj steriotipeve të një populli liridashës të bukës, kripës dhe zemrës, që krijoi letërsia patetike e gjoja patriotike e shekullit të kaluar.
"Nisi kështu një gjah i vrullshëm njerëzor ndaj vendasve si dhe delegimi i të gjitha projekteve kompanive të huaja.
Deviza e tyre ishte të sillnin në rrugë të drejtë gjithçka të prishur nga paraardhësit. Natyrisht që kjo gjë i bënte ata të ndiheshin më të rëndësishëm e njëkohësisht më të pamëshirshëm", analizon Roshi, i pajisur me një forcë racionale, me një gjykim të kthjellët që për hir të së vërtetës vendasit, shqiptarët, nuk e kanë treguar akoma në nivelin e duhur përballë ndërkombëtarëve ose më mirë të themi përballë modelit demokratik të vetëqeverisjes.
Raportet burokratike tek "Rrëfenja" janë në thelb raporte të ngritura në një varësi psikologjike.
Ndaj grotesku i Aliçkës që në pamje të parë duket gazmor, zbavitës, natyrshëm ndihmon që sa shumë autori i shqep moralin personazheve të tij, aq më thellë i hyn terapisë së lexuesit i cili nga një situatë në tjetrin, nga një personazh tek tjetri, është jo thjesht duke lexuar, por duke kuptuar, duke u ndriçuar për filozofinë që thotë se të tjerët na shohin ashtu siç e shohim ne veten.
Vetëm se Roshi, personazhi që rrëfen skutat e përfaqësisë ndërkombëtare duket si i fundit i radhës që e zbythin dhe e zbythin deri sa ta rrëzojnë nga stoli për ta rimarrë veten deri në lojën e ardhshme të tenisit ku shpreson të mundet nga ndonjë zëvendësambasador.
Është kjo një shenjë se lufta psikologjike e "Rrëfenjës" është një mekanizëm që përgatit viktima që tek e fundit pranojnë të nënshtrohen?
Në një kohë shumë të shkurtër Ylljet Aliçka arriti të prezantohet me një stil të vetin të prozës së shkurtër duke konsoliduar në letërsinë shqipe zhanrin e komedisë së zezë. Tek proza e parë e gjatë ai sot identifikohet plotësisht me një stil të tillë.
Aktualisht Aliçka, Ambasador i Shqipërisë në Paris, bën një jetë që e ballafaqon me realitete të reja ndërkombëtarësh, që në një mënyrë "më detyrojnë (fundja si në jetën e gjithsecilit)", thotë ai, "t'i shoh gjërat nën një sy të ri.
Por pranoj se nuk jam penduar për atë libër, dukuritë e të cilit kam bindjen se në Shqipëri janë aktuale të paktën dhe për një dhjetëvjeçar.
Veçse tani kuptoj se funksioni i ambasadorit që bëj sot nuk më garanton ndonjë imunitet që ndonjë ditë të mos e shoh dhe unë veten si personazh tek ndonjë roman të ndonjë autori brenda apo jashtë ambasadës ku jetoj, pasi kam parimin se siç ke bërë do të ta bëjnë dhe se për letërsinë nuk ka tema tabu, apo gjëra të fshehura."