E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe kaosi pushtojne Europen

Shumë fluturime anulohen deri në një afat të papërcaktuar

Dëbora e dendur dhe ngricat po shkaktojnë kaos për udhëtarët në disa vende të Europës. Moti i ftohtë ka sjellë probleme në transportin ajror, rrugor dhe në hekurudhat e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Bora e dendur në Londër çoi në mbylljen e pistave të dy aeroporteve kryesore të kryeqytetit britanik, “Heathrow” dhe “Gatwick”. Të shtunën kompania “British Airways” njoftoi anulimin e shumicës së fluturimeve nga “Heathrow”. Qindra automjete u bllokuan gjatë natës në autostrada, në veriperëndim të Anglisë. Një situatë e ngjashme ishte të shtunën edhe në veri të Italisë, ku shoferët hynë në autostrada të bllokuara nga bora, për shkak të mosnjoftimit në kohë nga sinjalistika rrugore. Politikanët gjermanë kanë kërkuar që shoferët të detyrohen të përdorin zinxhirë për gomat e kamionëve, pasi bllokimi i tyre e shton kaosin në rrugët e vendit.

Me mijëra pasagjerë kanë kaluar natën në aeroporte. Në Frankfurt u anuluan 340 nga 1300 fluturimet e parashikuara. Probleme ka edhe në qarkullimin e trenave dhe në rrugë, ku po shënohen vonesa të mëdha. Në disa pjesë të Gjermanisë është ndaluar qarkullimi i kamionëve. Shërbimi meteorologjik njofton se edhe në ditët e ardhshme do të bjerë dëborë në Gjermani. Kushte të ngjashme po mbretërojnë edhe në shumë vende të tjera europiane. Aeroporti “Heathrow” i Londrës, më i madhi në Europë, pas një ditë e gjysmë ndërprerje të fluturimeve, rifilloi përsëri nga puna. Megjithatë nuk mungojnë vonesat. Aeroportet në Spanjë, Holandë, Danimarkë po ashtu kishin raportuar për anulime ose vonesa të fluturimeve.

Edhe dimri i kaluar është karakterizuar nga shumë probleme të ngricave dhe dëborës që kanë pasur pasoja në çrregullimin e trafikut ajror dhe atij hekurudhor, por këtë vit këto trazira kanë nisur më herët dhe mbi të gjitha parashikohet që të vazhdojnë shumë më gjatë me kushte atmosferike që do të përkeqësohen në javët në vazhdim.

Të shumtë janë ata që kanë hequr dorë nga lëvizjet e gjata dhe të largëta të Krishtlindjeve duke preferuar në një rast të tillë destinacione më të afërta dhe më të parrezikshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›