E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrokaj Ligji i arsimit te larte nuk eshte funksional

Konferenca Akreditimi i universiteteve dhe autonomia e tyre mbetet një ndër problemet thelbësore të ligjit aktual

Akreditimi i universiteteve, financimi apo transferimi i të rinjve nga rrethet në Universitetin e Tiranës ishin disa nga pikat kyçe të diskutuara dje në konferencën “Karta e Bolonjës dhe ligji i arsimit të lartë në Shqipëri”, organizuar nga këshilli studentor i Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Ky takim u zhvillua në formën e një diskutimi të hapur mbi sistemin e Kartës së Bolonjës në tërësi dhe ligjit të arsimit të lartë në vendin tonë. Qëllimi i kësaj konference ishte të vendoseshin pikat mbi “i” për problematikat me të cilat po ndeshen studentët shqiptarë, për sa u përket disa çështjeve që nuk janë vënë në zbatim në mënyrë korrekte, siç parashikohet në “formulën” strikte të këtij sistemi.

Rektori i UT-së, Dhori Kule, e përmendi procesin e akreditimit si një ndër problemet thelbësore të arsimit të lartë në universitetet shqiptare. Ai u ndal sidomos në aspektin e masivizimit të numrit të studentëve dhe raportit të këtij numri me shanset e punësimit në vend.

“Kemi vite që kemi marrë iniciativën për përmbushjen e procesit të akreditimit dhe së bashku me të, vjen edhe procesi i renditjes”, tha rektori i Universitetit të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, Kule theksoi vazhdimisht argumentin mbi rëndësinë e autonomisë së universiteteve, si një ndër hallkat më të rëndësishme të funksionimit të tyre.

“Kushtetuta e Shqipërisë u siguron institucioneve të arsimit të lartë autonomi. Ligji i jep të drejtën të garantojë këtë autonomi dhe e sanksionon në 2 pika, ku përfshihet e drejta për të përpiluar dhe zbatuar programe studimi e projekte të pavarura dhe e drejta për të vendosur kriteret e pranimit të programeve mësimore”, sqaroi Kule.

Duke u rikthyer në thelb të diskutimit, rektori nuk mund të linte pa përmendur edhe 3 nivelet e studimit të Kartës së Bolonjës, duke u ndalur më gjatë në nivelin e dytë të tij, masterin. Ai sqaroi studentët mbi ndryshimet midis masterit profesional dhe atij shkencor, në aspektin e numrit të krediteve. Tendenca e studentëve, sipas tij, për të zgjedhur masterin shkencor me 120 kredite dhe jo atë profesional me 90 kredite, bëhet pasi kandidati përmbush nivelin e dytë, për të kaluar në nivelin e tretë.

Një tjetër temë e rëndësishme për t’u diskutuar, sipas rektorit, ishte edhe transferimi i studentëve nga universitetet e rretheve në atë të Tiranës. “Dua të deklaroj se mobiliteti është një ndër tiparet themelore të Bolonjës. Në Universitetin e Tiranës kërkesat për t’u transferuar ishin rreth 872. Kjo shifër flet vetë”, tha Kule.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, evidentoi disa fenomene të tjera, që sipas tij, përbëjnë problemet kryesore të zbatimit të ligjit të arsimit të lartë. Ndonëse për pjesën e autonomisë së universiteteve ai bie dakord me rektorin e UT-së, dekani shton se një tjetër problem është ai i marrëdhënieve të institucioneve të arsimit të lartë me strategjitë e zhvillimit universitar. Ai shprehet me indinjatë për sa u përket akuzave se universitetet publike janë të paafta të vetëmenaxhohen. Sipas tij, këto janë thjesht akuza dashakeqe. Rrokaj iu drejtua edhe rektorit të Universitetit të Tiranës, që të shprehet mbi një sondazh të publikuar kohët e fundit, i cili flet për një masë prej 70% të studentëve që paguajnë për notat. “Unë i kërkoj të shprehet në emër të universitetit. Për fakultetin tim natyrisht që nuk do ta pranoja në asnjë mënyrë. Në qoftë se do të kisha një fakultet, ku 78% e studentëve paguajnë, që tani jap dorëheqjen nga posti i dekanit, pasi nuk kam për çfarë ta dua atë”, shtoi Rrokaj.

Pjesë e këtij takimi ishin studentë nga këshilli studentor i Fakultetit të Histori-Filologjisë, dekani i këtij institucioni, rektori i UT-së dhe zv.ministrja, Nora Malaj, ndërkohë që i ftuar ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, edhe pse nuk ishte i pranishëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›