Dinamo renia e lire vazhdon ne Peqin
Dinamo nuk di të dalë nga kriza. Rënia e lirë e kampionëve të Shqipërisë në fuqi ka vazhduar edhe në Peqin. Skuadra e drejtuar nga Luis Manuel Blanko mposhtet 1-0 nga Shkumbini, në ndeshjen mbyllëse të javës së 15 të Kategorisë Superiore. Goli vendimtar i takimit u realizua nga boshnjaku Ahmet Mujdragiç, në minutën e 42-të, ndërsa ky duket se ishte edhe shkurorëzimi zyrtar i skuadrës më të mirë të sezonit të kaluar (të paktën në dy fazat e para të kampionatit). Një humbje që ka ardhur si rrjedhë logjike për dinamovitët, të cilët janë shfaqur pa ide në fushë dhe mjaft defektozë në manovrat sulmuese.
Ndeshja ka nisur vrullshëm për Shkumbinin, madje vetëm pas shtatë minutave lojë, vendasit kanë pretenduar 11-metërsh, për prekje të topit me dorë në zonë nga një mbrojtës kundërshtar. Megjithatë, gjyqtari Tanush Latifi e ka vlerësuar inekzistent faullin, duke bërë me shenjë që loja të vazhdojë. Momenti i vetëm i rrezikshëm për Dinamon, ishte ai i minutës së 34-t, kur Vila devijon me kokë një harkim të Bakajt, por Kotorri fluturon, duke shmangur një gol thuajse të sigurt. Vetëm ky episod (i ardhur nga goditje standarde) është shumë pak për ekipin që pretendon se ka një prej reparteve ofensive më të mira në kampionat. Në anën tjetër, peqinasit kërkojnë me ngulm avantazhin. Fillimisht Isli Hidi neutralizon një devijim me kokë të Shenajt, megjithatë portieri nuk mund të bënte asgjë në të 42-tën: pas një topi që qëndroi gjatë në zonë nga një goditje këndi, Mujdragiç konfirmohet oportunist dhe e dërgon topin në rrjetë. Një gol që vlen tri pikë për Shkumbinin dhe që sjell fitoren e parë të trajnerit Përparim Daiu. Me këtë triumf, peqinasit ngjiten në vendin e shtatë në klasifikim, në kuotën e 20 pikëve, aq sa ka edhe Laçi i vendit të tetë. Në sekondat e fundit të ndeshjes, miqtë pretendojnë 11-metërsh, pasi sipas tyre gjuajtja e Sekserit është frenuar me dorë nga një mbrojtës.
Me këtë humbje, pozitat e Blankos në krye të Dinamos vazhdojnë të jenë të lëkundura. Edhe pse tekniku argjentinas pretendon se gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit, shifrat flasin kundër tij. Në gjashtë ndeshjet e fundit blutë kanë regjistruar 4 humbje dhe vetëm 2 barazime. Nga 18 pikët e mundshme që ishin në lojë gjatë këtyre javëve, ata kanë marrë vetëm dy (në shtëpinë e tyre 3-3 me Laçin në javën e 10 dhe 1-1 në Kavajë në javën e 13). Humbja në Peqin vjen menjëherë pas humbjes në shtëpi me Teutën. Dinamo nuk fiton prej më shumë se një muaji e gjysmë: më saktësisht më 1 nëntor, 1-2 në fushën e Kastriotit në javën e 9. Nëse në javën e 10, kryeqytetasit kryesonin Superioren me 23 pikë, tashmë që kampionati elitar në vend ka lënë pas javën e 15, blutë kanë rrëshqitur në vendin e pestë, në kuotën e 24 pikëve, 7 më pak se Flamurtari i vendit të parë.