E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora paralizon transportin dhe levizjet ne te gjithe kontinentin

Europa Aeroportet mbyllen, njerëzit mbesin në terminale dhe stacione trenash

Bora dhe akulli kanë shkaktuar pengesa të mëdha në transport edhe në vendet fqinje të Gjermanisë. Për shkak të mungesës së mjeteve për shkrirjen e akullit, aeroporti i madh parizian “Roissy-Charles de Gaulle”, këtë të premte anuloi 400 nga gjithsej 1200 fluturimet e planifikuara. Natën e kaluar, në aeroport mbetën të bllokuar 2000 pasagjerë. Në Holandë u mbyll aeroporti “Eindhoven” pas reshjeve të shumta të dëborës. Në jug të Belgjikës në shumë vende është në fuqi ndalimi i qarkullimit për kamionët, pas aksidenteve të një nate më parë në Ardene. Në kryeqytetin Bruksel nuk kanë lëvizur metrotë dhe autobusët. Mijëra udhëtarë i kanë prishur planet e tyre për Krishtlindje, për sa i përket udhëtimeve në vendet e Europës Perëndimore. Probleme ka pasur edhe Aeroporti i Brukselit dhe belgët vetë, për shkak të kushteve atmosferike, u paralajmëruan që të mos udhëtonin në ngricë dhe dëborë, pasi është shumë e rrezikshme. Në të gjithë Europën janë njoftuar qindra raste aksidentesh rrugore. Në Itali reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Venecia, si dhe në qytetin e Vinçencës, në perëndim në Venecias. Njerëzit janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, për shkak të rritjes së madhe dhe të befasishme të nivelit të ujit. Aeroporti francez “De Gol”, ndër më të mëdhenjtë e vendit, ka pasur probleme nga rëndesa e dëborës edhe me çatinë e një pjese të terminalit të tij kryesor. Në vitin 2004 i njëjti terminal pati shembje të çatisë po për shkak të rëndesës së dëborës dhe si pasojë u vranë 4 persona. Si pasojë, dje u zhvendosën nga terminali 2000 veta. Autoritetet franceze janë duke u përpjekur që të përballojnë situatën e vështirë me reshje të jashtëzakonshme. Ndërkohë janë raportuar edhe njerëz të humbur dhe disa të vdekur nga reshjet e jashtëzakonshme atmosferike. Të shumtë kanë qenë edhe ata turistë që e kanë kaluar natën dje në stacionet e hekurudhave dhe të autobusëve, apo edhe nëpër lokale dhe vende të tjera përreth stacioneve në pamundësi për t’u rikthyer në shtëpi për Krishtlindje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›