E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana barazim mes polemikave ne Lac

Besa rikthehet, duke mposhtur Shkumbinin, Kastrioti përmbys Bylisin në Krujë

Kur duheshin edhe pak minuta deri në përfundimin e ndeshjes, Tirana pëson një gol nga pika e bardhë 11-metërshit dhe e mbyll ndeshjen në shtëpinë e Laçit në barazim 1-1, që do të pasohej nga polemika të shumta për gjykimin e dobët të treshes së gjyqtarëve.

Kështu që bardheblutë marrin nga kjo sfidë vetëm një pikë dhe ngadalësojnë ritmin në kërkim të kreut. Me këtë rezultat, Laçi jo vetëm që ka marrë një pikë, por i ka bërë një nder edhe Vllaznisë, që renditet përpara bardhebluve. Në këtë përballje është luajtur një lojë e fortë nga të dyja palët. Mund të thuhet se loja është kontrolluar në sasi nga vendësit, por në cilësi dhe raste të pastra për shënim ka anuar dukshëm nga Tirana. Veç golit të Pejiçit, një problem tepër i madh për kurbinasit, bardheblutë patën edhe raste të tjera, sidomos në momentin kur Plaku është asistuar nga partneri kroat i sulmit bardheblu, por i vetëm me portën e boshatisur ka bërë të pabesueshmen, duke mos e dërguar sferën në rrjetë. Tirana ka qenë fare pranë fitores, edhe pse ka luajtur për një kohë të gjatë me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Tefik Osmanit, në minutën e 21-të të lojës, për një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit. Në minutën e 31-të, Tirana kërkoi penallti kur topi u duk se u prek në zonë nga një mbrojtës, por gjyqtari që ishte shumë afër nuk sinjalizoi. Më pas, erdhën dy momente që mund të kishin vendosur ndeshjen. Deri në minutën e 84-t, bardheblutë po udhëhiqnin, falë golit të realizuar që në çerekorëshin e parë të ndeshjes, me anë të Pero Pejiçit, por këtu janë dorëzuar. Një penallti e akorduar në favor të vendësve, pas një ndërhyrjeje të dyshimtë të Dushkut ndaj një kundërshtari, e kontestuar fort nga miqtë, i është besuar Miles, i cili më në fund ka mposhtur portierin Ilion Lika. Ky i fundit, deri në ato momente ka qenë një hero i vërtetë, duke zmbrapsur sulmet e pafundme të Laçit, që e kanë kërkuar me çdo kusht golin. Por një penallti shumë e dyshimtë ka prodhuar polemika të shumta. Po dje në Kavajë, Besa ka regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe pas saj ndaj Teutës në Durrës, por këtë herë viktima ishte Shkumbini. Kavajasit kanë triumfuar me fitoren 2-1, duke rrëmbyer kështu tri pikë të çmuara për renditjen në përpjekje t’iu larguar fundit. Braziliani Dos Santos (12’) e Cikalleshi (63’) kanë vulosur fitoren e kavajasve dhe kanë vlerësuar golin e Norës nga pika e penalltisë (86’). Një fitore 2-1 me përmbysje ka marrë Kastrioti, i cili mundi Bylisin në Krujë falë dopjetës së Alikajt. Pas një pjese të parë shumë luftarake, në të dytën (49’) Kule kishte bërë surprizën, ku kalonte në avantazh ballshiotët. Por reagimi i krutanëve ka qenë i menjëhershëm: ata kanë shtuar presionin dhe kanë dalë dy herë te goli, me të njëjtin autor, Enkel Alikajn, respektivisht në minutat e 53-të dhe 66-të. Kështu, Bylisi është larguar duarbosh nga kjo transfertë, por me dy kartonë të kuq, të marrë nga Madjo dhe Gega, ndërsa Kastrioti rikthehet te fitorja, pas asaj amullie që shkaktoi disfata e thellë, 4-0, ndaj Tiranës, një javë më parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›