E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bordi i Presidencës së KNFSH-së viziton kryepeshkopin e ri: Fortlumturi Joani do forcojë dialogun ndërfetar

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka zhvilluar një vizitë urimi Kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joani, i zgjedhur së fundmi në krye të KOASH-it.

Në vizitën e zhvilluar në ambientet e Kryepeshkopatës, ku morën pjesë anëtarët e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, njëkohësisht udhëheqës të të gjitha komuniteteve fetare në vend, Mons.

“Gjergj Meta, Kryetar i KNFSH-së dhe President i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë; H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve; Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe President i Religions for Peace Europe, si dhe znj. Sheldiana Jano, juriste dhe financiare pranë Këshillit Ndërfetar.

Të gjithë liderët fetarë shprehën urimet dhe përgëzimet e tyre më të përzemërta për Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Joan, për zgjedhjen e merituar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.  

  • Ata shprehën bindjen e plotë se ai do të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e dialogut ndërfetar, jo vetëm si një përgjegjësi kombëtare, por edhe si një mision për edukimin e brezave të rinj dhe përballimin e sfidave të përbashkëta të shoqërisë shqiptare.

    Në përputhje me statutin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, çdo kryetar i një komuniteti fetar është anëtar i Bordit të Presidencës dhe me rotacion, secili prej tyre merr drejtimin e KNFSH për një periudhë njëvjeçare kalendarike. Në këtë kuadër, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joani, është edhe anëtari më i ri i këtij Bordi.

    Sipas njoftimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, kjo vizitë përbën një dëshmi të traditës shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, të trashëguar brez pas brezi dhe të kultivuar ndër shekuj nga udhëheqësit fetarë të vendit, si shprehje e frymës së dialogut, mirëkuptimit dhe unitetit në shoqërinë shqiptare.

    /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›