E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi i Transparencës: Çmimi i naftës jo më shumë se 205 lekë/litër, benzina 189 lekë/litër

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Bordi i Transparencës në mbledhjen e radhës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 205 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 193 lekë/litër.

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 19 maj, në orën 17:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i Transparencës tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi duke paralajmëruar se në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Bordi i Transparencës sqaron se referuar Aktit Normativ “Për një shtesë në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.

Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1 dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›