Helmimi i studentëve të Sigurisë, AKU: Treguesit e higjienës në aktivitetin e subjektit “SORI-AL, brenda normës

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Pas rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave të Armatosura.
Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV, AKU informoi sot se ato kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
“Referuar këtyre raportprovave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve të Garnizonit, të Forcave të Armatosura, Tiranë”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
Në përfundim të procedurës, AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.
/m.m/j.p/r.e/