Bordi i Transparencës: Çmimi i naftës jo më shumë se 212 lekë për litër, benzina 181 lekë/litër

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Bordi i Transparencës përcaktoi sot çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për naftën dhe benzinën.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) nuk do të jetë më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë do të jetë deri në 200 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është përcaktuar në jo më shumë se 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë nuk do të kalojë 169 lekë për litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të vendimit.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
/m.q/j.p/