Borel: Dënojmë sulmet e Hamasit. Solidarizohemi me Izraelin

Bashkimi Evropian ka dënuar sulmet e Hamasit, ndërsa ka shprehur solidaritetin me Izraelin. Kështu deklaroi kreu i diplomacisë evropiane, Xhozep Borel (Josep Borrell) në një postim në X, njohur më parë si Tuiter (Twitter), ku bën thirrje që të ndalet dhuna.
“Ne po ndjekim me ankth lajmet nga Izraeli. Ne dënojmë pa mëdyshje sulmet e Hamasit. Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë. BE shpreh solidaritetin e saj me Izraelin në këto kohë të vështira”, shkruan ai.
Edhe kryeministri britanik, Rishi Sunak dënoi sulmet, teksa tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet.
Të paktën 22 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të Hamasit në Izrael dhe të paktën 500 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kryeministri Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se vendi është në luftë.
Një komandant i lartë nga Hamasi pretendon se mijëra raketa janë lëshuar nga Gaza në Izrael. Dhjetra persona të armatosur nga grupi militant islamik Hamas duket se kanë depërtuar në Izraelin jugor.
/rtsh.al/