E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borgjezët e "varfër"

Po avancon gjithmonë e më shumë një shtresë e re sociale e quajtur "poorgeorgesie", që bashkon fjalët "poor" dhe "bourgeoisie". Gazetat angleze shkruajnë për një zakon gjithmonë e më të përhapur mes të pasurve që nuk duan të duken si të tillë

Recesioni më i keq i këtij shekulli, kriza e parë ekonomike globale, solli me vete lot dhe gjak, sakrifica e frikëra, por edhe një shtresë të re sociale të quajtur borgjezia e varfër, që rrjedh nga bashkimi i dy termave anglezë poor dhe bourgeoisie. Me pak fjalë, ka lindur një borgjezi e varfër, jo për faj të fatit apo pasurisë, por si një imazh dhe zgjedhje jete: borgjez me gjithë të mirat, madje edhe shumë të pasur, të vendosur që mos duken të tillë, por duken më të varfër se ajo që janë në të vërtetë. Sigurisht, që pas kësaj nuk fshihen problemet me policinë tatimore, apo frika për të shmangur që të pushuarit nga bizneset e tyre të mund t‘u bëjnë ndonjë gjë të pamenduar, si për shembull t‘u thyejnë xhamat e shtëpive luksoze, ashtu siç i ndodhi Fred Goodwin, i quajtur ndryshe "shkurtuesi", superbankieri anglez, që ishte i specializuar në shkurtim bilanci, shkurtim personeli, d.m.th. në shkurtimin e gjithçkaje, përveç rrogës së tij. Ishte pikërisht ai njeriu që e çoi "Royal Bank" të Skocisë drejt shkatërrimit.

Përse e bëjnë diçka të tillë?

Në kohët e kësaj krize të paparë, kjo zgjedhje mund të ketë qëllime etike, morale apo shpirtërore. Mbi të gjitha, shumë prej tyre janë të bindur se epoka e konsumit të tepruar ka mbaruar dhe një tjetër epokë më e "matur" ka filluar. Është pikërisht ajo ku cilësia ka më shumë rëndësi se sasia dhe se diçka e zgjedhur me shije mund të jetë po aq e mirë sa diçka "firmato". E para nga gazetat angleze që ka folur për krijimin e shtresës së borgjezisë së varfër është e përditshmja londineze "The Guardian", e ndjekur më pas nga "Financial Times". Por, më tepër se një modë është një shtresë sociale që vjen nga larg, ose më saktë vjen nga SHBA-ja, nga brigjet e Paqësorit, nga San Francisko, Portland dhe Siatëll. Pra nga toka e re e ekonomisë dixhitale, nga ai kënd i planetit ku lindin shumë ide, tendenca dhe produkte të gatshme për të pushtuar botën.

Si jetojnë borgjezët e varfër?

Nuk drejtojnë "4X4" apo "Ferrari" dhe në vend të tyre preferojnë makinat ekologjike "Pirus" apo "Fiat 500". Nuk shkojnë në punë me kostum e kollare, por me xhinse dhe atlete, edhe pse nuk bëjnë punë që kërkojnë uniforma, por zanate krijuese në fushën e artit, modës apo në marketing. Nuk preferojnë të drekojnë apo darkojnë me havjar dhe shampanjë përpara, por të kënaqen me ushqimet e freskëta biologjike, të kultivuara në kopshtet e shtëpive të tyre private. Nuk deklarojnë nëse janë të majtë apo të djathtë, nuk flasin për politikë, por e cilësojnë veten ambientalistë të thekur, që preferojnë më shumë stilin e jetesës së Riçard Bransonit se sa atë të Abramoviçit apo atë të Berluskonit. Kanë vetëm një ankth: se mos shkëmbehen për të varfër. Nuk duan të jenë në qendër të vëmendjes, por as të kalojnë pa u vënë re.

Sociologët

Pas krizës do t‘u kthehet dëshira për t‘u dukur

A ka mbaruar epoka e të dukurit dhe e status simbolit?

Duket hapur që është në rënie. Ka një lloj maturie, por që nuk është një revolucion radikal. Më tepër është një përshtatje me kohën. Në sociologji kjo quhet "nënkonsum i dukshëm", që nuk është një risi, por një sjellje ciklike. Sot ka një klimë psikologjike krize ku është më e favorshme të komunikosh përmes vlerës ekonomike të objekteve, ashtu siç është bërë për shumë vjet. Por, edhe ky stil më i matur mund të jetë një mënyrë për t‘u dalluar.

Më shumë se një zgjedhje etike është një snobizëm i ri?

Edhe kjo. Ka njerëz shumë të pasur që preferojnë të ecin me biçikleta apo që preferojnë të mos rrinë veshur me kostume, duke luftuar kështu stereotipat, por askush nuk e vë në diskutim statusin e tyre social.

Por ky stil më i matur nuk lind edhe nga fakti se jemi në një fazë më të matur të konsumit?

Po kalojmë një fazë ku konsumi është bërë më i "ndërgjegjshëm", më etik, por mendoj se nuk do të ketë kufizim objektiv të burimeve. Pasi të mbarojë kriza, do të rikthehet sërish dëshira për t‘u dukur.

Tendenca

Pa fuoristrada

Nuk drejtojnë fuoristrada "4X4", "Porche" apo "Ferrari", më mirë makina ekologjike apo "Fiat 500". Preferojnë biçikletat dhe motorët

Kopshti

Janë ambientalistë, në favor të energjisë së qëndrueshme. Pëlqejnë ushqimet biologjike, për të cilat kujdesen personalisht, duke i kultivuar në kopshtin e shtëpisë

Veshjet e thjeshta

Nuk duan të bien në sy, por as të kalojnë pa u vënë re. Kostumet që veshin janë të thjeshta e të qepura vetë, por kushtojnë sa ato firmato

Zanate krijuese

Nuk veshin kostume apo kollare dhe kanë zanate të tilla si në fushën e modës, artit, marketingut, ku mund të vishen me xhinse dhe atlete fare të thjeshta



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›