Borkon e akuzojnë për tradhti

Në një komunikatë të lëshuar të dielën për media strukturat paralele serbe thuhet se paralajmërimi i shefit negociator të Beogradit në dialogun me Kosovën, se ndodhen pranë zgjidhje për vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinje, për të cilat ai vetë pohon se nuk janë ideale, paraqet kapitullim para kërkesave të Prishtinës.
Strukturat paralele në veri konsiderojnë “marrëveshjen thikë prapa shpinës për serbët e Kosovës”, andaj për shkak të këtyre, si dhe marrëveshjeve të mëhershme me Prishtinën ato paralajmërojnë se brenda një kohe të shkurtër do të ngritin padi kundër Stefanoviqit për akt të tradhtisë kombëtare.
Ndryshe, shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën pat deklaruar në fund të tetorit, se së shpejti do të gjendet zgjidhja për krizën në veri, por ajo nuk do të jetë ideale dhe nuk do t’iu përgjigjet në tërësi synimeve dhe nevojave të Serbisë. Madje, Stefanoviq kishte thënë se disa liderë politikë serbë nga Kosova kanë probleme me “rishikimin e realitetit”.
“Çdo zgjidhje e mirë për pozicionin e shtetit të Serbisë ka qenë e mundur deri më 9 qershor 1999. Pas kësaj ne veprojmë në domenin e asaj çka mundemi dhe jo të asaj se çfarë dëshirojmë. Është e qartë se kryetarët e komunave nuk mund të bëjnë kërkesa partiake dhe jo reale, sikur ato për kthimin e procesit nën ombrellën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ose që ushtria dhe policia të kthehen në Kosovë, ndërprerjen e dialogut me Prishtinën, dhe që marrëveshjet e arritura deri më tash të mos implementohen në veri të Kosovë”, ka thënë ai.