Borrell: Rama na informoi se skema e pasaportave të arta nuk do ndiqet më, BE mbështet integrimin e Shqipërisë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe kryekomisionerit Oliver Varhelyi ka shprehur angazhimin e patundur të Bashkimit Evropian për integrimin evropian të Shqipërinë. Teksa u shpreh se kjo është hera e parë që Këshilli i Stabilizim Asociimit mbahet në Tiranë, Borrel bëri me dije se Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej.
“Ti tregojmë popullit shqiptar që Shqipëria po afrohet gjithnjë e më tepër pranë jush. Japim sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e BE ndaj integrimit shqiptarë si vend anëtar në BE. Ky këshill përdoret si ndërveprim institucional mes BE dhe Shqipërisë. Shqyrtojmë çfarë është bërë, ku ka nevojë për përpjekje dhe punën që kemi para nesh. Mesazhi kryesor nga kjo mbledhje është angazhimi ynë i patundur për angazhimin evropian të Shqipërisë. Po punojmë së bashku për integrimin në të gjitha linjat, si pjesëmarrja juaj në misionet e politikes sonë të përbashkët.
Dua të pranoj dhe vlerësoj se ky vend ka treguar një angazhim ndaj reformave të nevojshme dhe ka arritur etapa të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Reforma ka ecur para në mënyrë të qëndrueshme. Patëm mundësi të mirëpresim deklaratën e kryeministrit se skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar çështje të tjera si polarizimi i mjedisit politik në vend”, tha Borrell.
/rtsh.al/