E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhe deri n’fyt

Përveç që janë në gjendje të rëndë infrastrukturore, stadiumet e Kosovës kanë borxhe mjaft të mëdha edhe ndaj Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës. Mbi gjysmë milioni euro është shuma që stadiumet e Superligës kanë borxh ndaj KEK’ut. Nga Valon Konushevci më 11 prill 2011 në ora 12:09

Futbolli kosovar assesi nuk po ia del ta tejkalojë krizën e madhe financiare, e cila e ka kapluar tash e një kohë të gjatë.

Si pasojë e kësaj krize, klubet përveç që nuk i kryejnë me kohë obligimet ndaj futbollistëve, ato kanë borxhe të mëdha edhe ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ujësjellësve, etj.

Gazeta Express ka mësuar se vetëm stadiumet, të cilat shfrytëzohen nga klubet e Superligës, i kanë borxhe KEK-ut mbi gjysmë milioni euro.

Stadiumi i Mitrovicës, ‘Adem Jashari’ – i cili shfrytëzohet nga Trepça – i prinë listës së borxheve të stadiumeve tjera ndaj KEK-ut.

588.418 Euro është shuma të cilën stadiumi ‘Adem Jashari’ ia ka borxh Korporatës Energjetike. Mirëpo, ky borxh nuk i takon në tërësi këtij stadiumi, sepse edhe disa konsumatorë tjerë lexohen në të njëjtën pikë dalëse.

Kështu thotë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala. “Duhet verifikuar dhe bartur borxhin real të stadiumit”, ka thënë Buzhala për Express.

Pas stadiumit ‘Adem Jashari’, stadiumi i Flamurtarit ‘Xhemajl Ibishi’ dhe ai i Lirisë ‘Përparim Thaçi’ kanë borxhe të mëdha ndaj KEK-ut. Të dy stadiumet e lartpërmendura i kanë borxh KEK-ut nga rreth dhjetë mijë euro.

Ndërsa edhe stadiumi i KEK-ut, ‘Agron Rama’ në Kastriot mbi tetë mijë euro i ka borxh Korporatës Energjetike të Kosovës, ndonëse kjo e fundit është sponsori kryesor i kësaj skuadre. Shumë të njëjtë KEK-ut i ka borxh edhe stadiumi i qytetit të Gjakovës, në të cilin ndeshjet futbollistike i zhvillon Vëllaznimi.

Stadiumi i Drenicës ‘Bajram Aliu’ i ka borxh Korporatës mbi 6 mijë Euro, derisa stadiumi i Trepçës ’89, ‘Riza Lushta’ nuk i ka paguar 3 mijë euro për rrymën e shfrytëzuar.

Në anën tjetër, stadiumi i Hysit në Merdare, ai i qytetit të Prishtinës, stadiumi i Ferizajt ‘Ismet Shabani’ dhe ai i Besës, ‘Shahin Haxhiislami’ i kanë më së paku borxh KEK-ut. Stadiumi i Ballkanit në Therandë, sipas Buzhalës, nuk ka lidhje në rrjet.

Mirëpo, Buzhala thotë se kjo nuk do të thotë që pikërisht klubet janë borxhlinj të KEK-ut, pasi, sipas tij, shumë stadiume menaxhohen nga komunat përkatëse. Megjithatë, ai pohon se KEK-u ua ka tërhequr vërejtjen këtyre borxhlinjve për ta larë borxhin.

“Për shembull, stadiumin e Gjakovës njëherë e kemi shkyçur nga rrjeti, por pas një marrëveshjeje të dyanshme, e kemi lejuar të kyçet sërish. Njëjtë kemi vepruar edhe stadiumin në Prizren”, thotë ai.

Buzhala thekson se KEK-u i kupton këta borxhlinj se nuk kanë mundësi ndoshta për ta paguar përnjëherë gjithë borxhin që u takon. Por, ai i fton menaxhuesit e këtyre stadiumeve të konsultohen me KEK-un rreth gjetjes së ndonjë mënyre për ta shlyer borxhin – në të kundërtën do të mbesin në terr.

“Mund të bëhet zgjidhje për t’i fshi borxhet në marrëveshje me KEK-un dhe normalisht duke i respektuar procedurat”, përfundoi Buzhala.

Mirëpo, klubet e Superligës, përkatësisht stadiumet e tyre, përveç KEK-ut, borxhe kanë edhe ndaj ujësjellësve përkatës. Për shembull – Stadiumi i Lirisë së Prizrenit, ‘Përparim Thaçi’ në Hidroregjion ka 66 mijë euro borxh të regjistruar.

Borxhet e stadiumeve të Superligës ndaj KEK-ut deri më 1 mars:

Stadiumi ‘Adem Jashari’ – Mitrovicë 588.418.33 €
Stadiumi ‘Xhemajl Ibishi’ – Prishtinë 9.974.12 €
Stadiumi ‘Përparim Thaçi’ – Prizren 9.784.84 €
Stadiumi ‘Agron Rama’ – Kastriot 8.259.73 €
Stadiumi i qytetit në Gjakovë 8.140.32 €
Stadiumi ‘Bajram Aliu’ – Skenderaj 6.129.94 €
Stadiumi ‘Riza Lushta’ – Mitrovicë 3.804.28 €
Stadiumi ‘Shahin Haxhiislami’ – Pejë 535.97 €
Stadiumi ‘Ismet Shabani’ - Ferizaj 105.66 €
Stadiumi i qytetit të Prishtinës 102.65 €
Stadiumi i Hysit në Merdarë 11,60 €
Stadiumi i qytetit në Therandë (nuk ka lidhje në rrjet)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›