Borxhe për disa, biznes për të tjerët
Të rinjtë amerikanë janë të zhytur në kreditë që kanë marrë për të mbaruar studimet. Shumica kanë pak shanse ti shlyejnë. Të tjerët do të paguajnë për shumë dekada borxhet e veta pa mundësi shpëtimi
Dwight Vigna, drejtor i divizionit të falimenteve thotë se qeveria nuk heq dorë lehtë. Nëse një borxhmbledhës nuk arrin të gjejë një borxhli brenda gjashtë muajve, departamenti ia jep rastin një agjencie tjetër
Për të shmangur borxhmbledhësit, Amanda Cordeiro ndryshon vazhdimisht numrat e telefonit. Ajo ka 55 mijë dollarë kredi studenti të pashlyer.
Në një protestë vitin e kaluar në Universitetin e Nju Jorkut, studentët tërhoqën vëmendjen ndaj borxheve të tyre gjithnjë e më të mëdha duke veshur bluza ku shënohej shifra e borxhit personal – $90,000, $75,000, $20,000.
Aty pranë një këshilltar biznesi për industrinë e mbledhjes së borxheve, pati një mendim tjetër. Nuk mund ta besoj se sa shumë para përfaqësonin ato borxhe për industrinë tonë, komentoi konsulenti Jerry Ashton, për një revistë të kësaj industrie.
Megjithëse Ashton thotë se komenti i tij qe ironi, ai në fakt tregoi një të vërtetë të pamohueshme: shumë kredimarrës po vuajnë për të paguar kreditë e tyre studentore ndërsa industria e mbledhjes së borxheve po rrit të ardhurat.
Ndërsa numri i njerëzve që kanë marrë kredi studentore të mbështetura nga qeveria ka shpërthyer, e njëjta gjë ka ndodhur me numrin e njerëzve që janë 12 muaj vonë me shlyerjen e kësteve të kredive. Këta janë rreth 5.9 milionë njerëz në të gjithë Amerikën.
Në tërësi, pothuajse një në gjashtë borxhmarrës është i falimentuar. Sasia e përgjithshme e kredive të falimentuara të studentëve është 76 miliardë dollarë, më e madhe sesa e gjithë fatura për të gjithë studentët e universiteteve shtetërore.
Për të marrë paratë e humbura, Departamenti i Arsimit vitin e kaluar pagoi më shumë se 1.4 miliardë dollarë te agjencitë e mbledhjes së borxheve të këqija. Por të fshihesh nga qeveria, nuk është e lehtë.
Unë vazhdimisht ndryshoj numrat e telefonit, thotë Amanda Cordeiro, 29 vjeç, e cila hoqi dorë nga kolegji më 2010 dhe ka marrë një pafundësi telefonatash nga borxhmbledhësit për kredinë e saj prej 55 mijë eurosh. Brenda një viti kam ndërruar numrin e telefonit katër herë, thotë ajo.
Ndryshe nga kreditorët privatë, qeveria federale ka mekanizma të jashtëzakonshëm për mbledhjen e detyrimeve dhe këto fuqi ia ka transferuar edhe agjencive të mbledhjes së borxheve. Cordeiro ka parë sakaq dy çeqe rimbursimi taksash të konfiskuara ndërsa debitorë të tjerë kanë humbur pagesat nga Sigurimet Shoqërore. Në tërësi, qeveria arrin të rikuperojë 80 cent në çdo dollar borxh të keq, një normë kjo trullosëse, pasi shumica e kreditorëve nuk është në gjendje të rikuperojë më shumë se 20 cent në çdo dollar kredi të dhënë përmes kreditkartave të falimentuara.
Dhe ndërsa norma e rikuperimit është mbresëlënëse, kritikët thonë se kjo gjë e ka lënë qeverinë me shumë pak nxitje për të synuar shmangien e falimenteve. Megjithëse ka programe që synojnë të ndihmojnë kredimarrësit në vështirësi, kompanitë e punësuara për të administruar kreditë studentore federale nuk paguhen mjaftueshëm për biseda të gjata që duhet ta shpien kredimarrësin në rikthim te pagesat e kësteve. Për pasojë, një program i qeverisë për këtë qëllim nuk ka pasur sukses. Nën këtë program, kredimarrësit paguajnë 15 për qind të të ardhurave të tyre neto për deri në 25 vjet, pas të cilës pjesa e mbetur e kredisë falet. Por pjesëmarrja ka qenë e dobët për shkak se kredimarrësit ose nuk janë në dijeni të programit ose nuk kanë arritur të përfitojnë për shkak se është kompleks.
Nëse njerëzit informohen, sa shumë falimente mund të shmangen? pyet Paul C. Combe, president i Asistencës për Studentët Amerikanë, një agjenci garantimi krediti me bazë në Boston. Ne po i dëmtojmë këto njerëz.
Për kredimarrësit, vendimi për të falimentuar mund të jetë shkatërrimtar, pasi rrënon besueshmërinë e tyre dhe rrit detyrimin total deri në 25 për qind për shkak të penaliteteve.
Cordeiro, një nënë e vetme, u largua nga një kolegj privat fitimprurës edhe pse i mungonin vetëm 16 kredite nga diploma e saj. Ajo thotë se nuk pati mundësi të gjente më shumë kredi për ta mbyllur. Unë tani marr letra për falimentin dhe i hedh menjëherë në kosh, thotë ajo.
Jake Brock, i cili u diplomua në vitin 2008 në një shkollë arti private, falimentoi në maj në një kredi federale prej 8 mijë dollarësh. Me penalitetet dhe interesin e akumuluar, kredia tashmë është rritur në 13 mijë. Unë thjesht mbeta prapa dhe nuk arrita të dal, thotë ai. Në total ai u detyrohet kredidhënësve të ndryshëm mbi 100 mijë dollarë të marra për arsimim.
Nuk ka kufizime statutore për kreditë studentore të garantuara nga qeveria federale, ndryshe nga kreditë e kartave apo ato të shtëpive dhe Kongresi e ka bërë të vështirë për kredimarrësit që të heqin qafe borxhin duke shpallur falimentin. Ti duhet ta paguash, ose do të vdesësh bashkë me të, thotë John Ulzheimer, president i një shoqate për mbrojtjen e konsumatorëve.
Pus nafte i ri?
Ndërkohë, biznesi po lulëzon në një agjenci mbledhjesh borxhesh në Roccester. Kompania ConServe mori zyra të reja shtesë në ndërtesën ngjitur. Të punësuarit janë aktualisht 420 vetë dhe parashikohet të dyfishohen në tri vitet e ardhshme. Ka një mundësi të madhe, thotë Mark E. Davitt, president dhe themelues i kompanisë.
Ndërsa disa kompani kanë lulëzuar duke mbledhur kartat e kreditit mashtruese ose faturat e paarkëtuara të spitaleve, ConServe po lulëzon për shkak të kredive të studentëve. Bilanci i përgjithshëm i kredive studentore është 1 triliard dhe tashmë ka zëvendësuar biznesin e mëparshëm të borxhmbledhësve, atë të kartave të kreditit. Mark Russell, një ekspert bashkimesh dhe blerjesh, duke shkruar në të njëjtën revistë si Ashton, këshilltari te protesta e Nju Jorkut, mendon se kreditë studentore mund të bëhen një pus i ri nafte për Menaxhimin e Faturave të Paarkëtuara, siç njihet me delikatesë industria e borxhmbledhësve.
Në vitin 2010 Kongresi ndryshoi programin e kredive studentore duke ia ngarkuar qeverisë detyrën për të dhënë drejtpërsëdrejti këto kredi. Para kësaj, kreditë jepeshin nga privatët nën garancinë e qeverisë.
Gjatë vitit të kaluar, ata që falimentuan patën borxh mesatar prej 17 mijë dollarësh. Ata që ndiqnin kolegjet fitimprurëse private përbënin më shumë se gjysmën e të gjithë të falimentuarve, pavarësisht se kolegjet private ndiqen nga vetëm 11 për qind e amerikanëve. Ata që i kishin ndërprerë studimet qenë më të shumtë mes të falimentuarve. Kredia konsiderohet e falimentuar nga Departamenti i Arsimit kur ka vonesa prej më shumë se 360 ditë.
Kredimarrësit deklarohen të falimentuar më së shumti kur nuk arrihen të gjenden. Ky është çasti kur puna u kalon borxhmbledhësve. Ndërsa disa nga industria janë të shqetësuar mbi rrezikun e revoltave publike nga taktikat agresive të mbledhjes, për momentin të gjithë janë në sulm.
Te ConServe, në një dhomë me kuba ka lista studentësh të varur nëpër mure. Punonjësit gjurmojnë databazat dhe arkivat publike në kërkim të kontakteve të kredimarrësve. Nëse kompania arrin të njoftojë një kredimarrës, i cili refuzon të bashkëpunojë, kompania e konsideron të ezauruar paralajmërimin dhe fillon punën për të bllokuar pagesat e mundshme publike, bllokimi i të cilave kërkon miratim nga Departamenti i Arsimit.
Dwight Vigna, drejtor i divizionit të falimenteve thotë se qeveria nuk heq dorë lehtë. Nëse një borxhmbledhës nuk arrin të gjejë një borxhli brenda gjashtë muajve, departamenti ia jep rastin një agjencie tjetër