E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombë në hekurudhën Moskë - Shën Petërburg

Një bombë artizanale, e vendosur në shinat e linjës hekurudhore të trenave të shpejtësisë së lartë, Moskë - Shën Petërburg, ka shkaktuar një shpërthim të madh, daljen e trenit nga binarët dhe si pasojë 26 të vdekur dhe dhjetëra persona të plagosur. Ndërkaq zyrtarët rusë kanë çelur menjëherë hetimet, duke u përqendruar te pista e terrorizmit. Shefi i Shërbimit Sekret rus, Vorotnikov, tha se një pajisje e tillë plasëse me 7 kilogramë TNT mund të jetë vetëm vepër e terroristëve. Sipas specialistëve, krateri i shkaktuar nga shpërthimi i bombës ishte 1.5 metra i thellë. Forca e shpërthimit ka shkaktuar dëme edhe në zonën rurale përgjatë linjës hekurudhore duke plasur disa makina dhe fasada dyqanesh. Treni i shpejtësisë së lartë frekuentohej kryesisht nga zyrtarët e lartë, biznesmenët dhe, për sa i përket shpërthimit, bëhet fjalë për goditjen më të rëndë terroriste në Rusi të këtyre viteve. Ndërkaq një tjetër pajisje eksplozivi u vendos sërish në zonën e incidentit të shtunën në mëngjes, ndërsa po kryheshin pastrimet e radhës. Për sa i përket shpërthimit të madh, ai ndodhi orët e vona të së premtes. Treni ecte me shpejtësi 200 kilometra në orë dhe në të ndodheshin 650 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Në momentin e shpërthimit, treni ndodhej në kufirin me Novgorodin, 400 kilometra larg Moskës dhe 250 kilometra në juglindje të Shën Petërburgut. Për momentin Ministria e Brendshme ka formuluar identikitet e disa personave të dyshuar për sulmin, në bazën e arritjeve të para të dëshmive dhe të rezultateve të hetimeve. Mes tyre është edhe identikiti i një mashkulli me flokë të thinjura, ose të verdha rreth të 40-ave. Për sa i përket rusëve ata janë të tronditur nga një ngjarje e tillë, pasi, për herë të parë, një shpërthim i përmasave të mëdha ndodh në Rusi dhe jo në rajonin e Kaukazit ku zakonisht vijnë herë pas here lajme shpërthimesh e aktesh terroriste. Terrorizmi ka qenë shqetësim për Rusinë që nga viti 1991 me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe plasjen e luftërave në Çeçeni. Menjëherë pas sulmit, Presidenti i vendit, Medvedev, bëri thirrje për ruajtje të qetësisë dhe moskrijim të situatave kaotike. Për sa i përket të plagosurve, ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Shën Petërburgut. Por, megjithatë, ka pasur ankesa për një ngadalësi të ardhjes së ndihmave të para mjekësore. Ndërsa në kraterin e krijuar nga shpërthimi, dje nuk ka mundur që të hyjë askush përveç personave të autorizuar për t‘u marrë me hetime. Edhe linja hekurudhore është mbyllur deri në një njoftim të dytë. Deri tani asnjë grup terrorist i rajoneve të Kaukazit nuk ka lëshuar deklarata për marrje përsipër të tragjedisë, që për momentin mbetet pa autor. Në rajonin e Kaukazit, ngjarje të tilla janë thuajse të zakonshme. Kështu, në gushtin që shkoi, një bombë vetëvrasëse në kryeqytetin e Ingushenisë mori jetën e 25 personave dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Në shtator të vitit 2004, një tjetër sulm në një shkollë në Osetinë e Veriut, Beslan, shkaktoi një masakër që do të mbahet mend gjatë, duke marrë jetën e 330 pengjeve, një pjesë e madhe e të cilëve ishin fëmijë. Ndërsa për Moskën momenti më i rëndë i këtyre viteve ka qenë pengmarrja e disa rebelëve në një teatër moskovit, në të cilën humbën jetën 130 njerëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›