E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet e vendeve të pasura po dëmtojnë ekonominë e botës

Me paralajmërime për rreziqe të vjetra dhe të reja, përfundoi takimi i pranverës i FMN-së dhe Bankës Botërore. Në qendër të kritikave ishin vendet e industrializuara, borxhet e të cilave rrezikojnë ekonominë botërore. Vendet e industrializuara, e para së gjithash SHBA, u kritikuan qartë në takimin e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, për shkak të politikës së tyre të borxheve. Me këtë politikë ata rrezikojnë të shkaktojnë pasoja negative për vende të tjera dhe ekonominë botërore në përgjithësi. Këto ishin, për shembull, kritikat e përfaqësuesve të Rusisë dhe Brazilit, në komisionin drejtues të FMN-së. Ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner, siguroi se qeveria e tij me një program të fortë kursimesh do të reduktojë këtë vit në mënyrë masive deficitin buxhetor prej rreth 11%. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, foli për sukseset gjermane në konsolidimin e buxhetit. Guvernatori i Bankës Federale Gjermane, Axel Weber, i cili largohet nga detyra në fund të muajit, foli për zhvillimin e mirë ekonomik në Gjermani. Tremujori i parë i vitit shënoi rritje të fortë dhe nëse përpjekjet për konsolidim nuk do të zbehen, deri në vitin 2015 mund të arrihet që borxhi i ri të bjerë në nivelin 2% të PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto), që do të ishte dukshëm nën kufirin prej 3%, përcaktuar nga Marrëveshja e Mastrihtit. Ministri gjerman i Financave tërhoqi megjithatë vëmendjen ndaj rreziqeve të tjera për ekonominë botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›