E Diel, 1 Nëntor 2026

Klima politike ndikoi negativisht besimin te ekonomia

SHKRUAN: Blerina Hoxha 18-04-2011 13:18

Biznesi dhe konsumatorët të pyetur nga Banka e Shqipërisë gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë shprehur pesimistë për zhvillimet ekonomike në vend, më shumë sesa në fund të vitit që shkoi. Shkak kryesor, sipas Bankës, kanë qenë zhvillimet në politikën e brendshme. Banka e Shqipërisë publikoi dje Treguesin e Ndjesisë Ekonomike (TNE), i cili ra me 7.3 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2011. Banka sqaron se niveli aktual i treguesit qëndron 14.7 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë. Banka qendrore në vlerësimin e saj për këtë vrojtim bëri të ditur se përkeqësimi rezultoi nga rënia e besimit në sektorin e shërbimeve dhe përkeqësimi i besimit konsumator.

Sektori i industrisë

Treguesi i Besimit në Industri (TBI) u rrit me 2.8 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2011, duke vijuar rritjen e shënuar në tremujorin e kaluar. Përmirësimi është shkaktuar kryesisht nga vlerësimi në rritje i situatës së prodhimit industrial. Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar në rritje ecurinë e ekonomisë në total dhe gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre për tremujorin e parë të vitit 2011. Në përgjithësi, të gjithë faktorët që kufizojnë aktivitetin e bizneseve të industrisë kanë patur një ndikim më të ulët në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2010. Veçanërisht gjendja e rendit dhe e sigurisë, kuadri ligjor dhe institucional dhe marrëdhëniet me bankat dhe me sektorin financiar, kanë ulur ndikimin negativ në aktivitetin e biznesit të industrisë. “Prania e korrupsionit dhe e ekonomisë joformale” është vlerësuar nga bizneset si faktori kryesor që ka penguar aktivitetin normal të tyre në këtë tremujor, sipas Bankës së Shqipërisë.

Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar në rritje kërkesën e brendshme dhe të jashtme për produkte industriale. Bizneset e industrisë kanë raportuar për vijim të prirjes rritëse të çmimeve të tyre të prodhimit edhe në tremujorin e parë të vitit 2011. Kjo prirje rritëse është vënë re që në tremujorin e parë të vitit 2009. Rreth 85.6% e bizneseve të

këtij sektori mendojnë se niveli aktual i kapaciteteve të prodhimit është i mjaftueshëm, duke marrë parasysh nivelin e kontratave porositëse, të cilat kanë shënuar një rënie të lehtë.

Sektori i ndërtimit

Ndryshe nga sa ka ndodhur në shkuarën, Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u rrit me 3.4 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2011. Banka e Shqipërisë cilësoi se

në tremujorin e parë të vitit 2011 bizneset ndërtuese kanë rritur vlerësimin e tyre si për situatën e përgjithshme ekonomike ashtu edhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre. Rritja e optimizmit të bizneseve të ndërtimit është shkaktuar nga ndikimi më pak negativ i problemeve që lidhen me infrastrukturën, marrëdhëniet me bankat dhe sektorin financiar, si dhe kuadri ligjor dhe institucional. Klima e brendshme politike është një nga faktorët e vlerësuar në një shkallë më të lartë nga bizneset e industrisë, si faktor që pengon aktivitetin normal të tyre. Pavarësisht vlerësimit më optimist të situatës së prodhimit, bizneset e ndërtimit kanë raportuar se shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve ndërtuese, në tremujorin e parë të vitit 2011, është 61.0%, rreth 6.6 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë. Kjo normë, në rënie me 2.5 pikë përqindjeje nga tremujori i katërt i vitit 2010, përbën shkallën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë. Çmimet e prodhimit në ndërtim janë vlerësuar në rritje në tremujorin e parë të vitit 2011, duke ndjekur rritjen e regjistruar për dy tremujorët e kaluar.

Gjendja e inventarëve në ndërtim, në tremujorin e parë të vitit 2011, është vlerësuar në ulje. Gjithashtu, gjendja financiare e bizneseve është përmirësuar në tremujorin e parë të vitit 2011, bazuar në opinionet e bizneseve të ndërtimit. Balanca e investimeve të reja, të kryera gjatë gjashtëmujorit të kaluar, është rritur me 22.0 pikë përqindjeje, duke qëndruar në të njëjtin nivel me mesataren historike.

Sektori i shërbimeve

Në tremujorin e parë të vitit 2011 Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) ra me 8.6 pikë

përqindjeje. Në ndryshim nga vlerësimet e bizneseve mbi aspektet që lidhen me aktivitetin e tyre, situata e përgjithshme ekonomike në vend është vlerësuar në përmirësim. Klima e brendshme politike, gjendja e rendit dhe e sigurisë në vend janë vlerësuar në një shkallë më të lartë si faktorë që pengojnë zhvillimin normal të aktivitetit në sektorin e shërbimeve në tremujorin e parë të vitit 2011. “Marrëdhëniet me bankat” është faktori i vetëm që ka regjistruar përmirësim në këtë tremujor. Kërkesa në sektorin e shërbimeve është vlerësuar në rënie në tremujorin e parë të vitit 2011. Balanca përkatëse shënoi rënie me 7.7 pikë përqindjeje. Norma e shfrytëzimit të 5 kapaciteteve, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, rezultoi në nivelin 69.8%, rreth 2.3 pikë përqindjeje më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 5.7 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›