Borxhet ndaj biznesit, Qeveria do shlyejë 105 milionë euro
Bode: Paratë e privatizimit të HEC-eve do përdoren per biznesin dhe uljen e borxhit publik
Paratë e privatizimit të katër HEC-eve do të përdoren për të shlyer detyrimet që qeveria ka ndaj bizneseve, por paralelisht edhe për të ulur nivelin e borxhit publik. Kështu është shprehur dje para medieve ministri i Financave Ridvan Bode. Bëhet fjalë për të ardhurat e grumbulluara nga privatizimi i hidrocentraleve: Bistrica 1 dhe Bistrica 2, si dhe HEC-it të Ulzës dhe Shkopetit. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, borxhi publik është rritur ndjeshëm.
Skema
Ndërsa ka shpjeguar skemën e përdorimit të këtyre parave ministri Bode, ka sqaruara se Qeveria ka marr një borxh të përkohshëm për të shlyer detyrimet e prapambetura të biznesit, borxh i cili tashmë do të zëvendësohet me të ardhurat e privatizimit të HEC-eve. Në pritje të të ardhurave nga privatizimi, qeveria ka menaxhuar thesarin e shtetit, duke bërë huamarrje të përkohshme 2-3 mujore në pritje të të ardhurave nga privatizimi. Në momentin që ndodhemi sot, tre ditë më parë është bërë pagesa e parë për rreth 57 milionë euro, të cilat shkojnë tërësisht në ulje të huamarrjes së brendshme. Qeveria bëri këtë në mënyrë të përkohshme, pikërisht në emër të instrumenteve ekonomikë, financiarë mbështetës, për ekonominë, për qytetarët, tashmë ne nuk kemi të drejtë të përdorim më shumë se jemi autorizuar, për huamarrje, borxh, deficit, theksoi Bode.
Biznesi
Sipas kryefinancierit Bode, deri më tani janë shlyer rreth 105 milionë euro borxhe ndaj biznesit. Përtej shifrave të parashikuara në buxhetin e vitit 2013 dhe kontratave që janë mbështetur me këtë buxhet pati mundësinë që të lërojë në funksion të shlyerjes, së kontratave rreth 105 milionë euro më shumë, tha Bode. Ministri i Financave ka reaguar edhe ndaj akuzave të opozitës për deficitin buxhetor, duke deklaruar se ato janë të pabazuara ne shifra dhe ne realitetin shqiptar.
Rekomandimet
Shlyerja e borxheve ndaj biznesit ka qenë një rekomandim i herë pas hershëm i guvernatorit Fullani, por sidomos i Bankës Botërore, drejtuar qeverisë shqiptare. Për më tepër Banka Botërore i ka vënë kusht qeverisë vendosjen e një niveli për borxhin publik. Sipas BB-së borxhi publik është shqetësues në Shqipëri dhe kërkohet që ai të ulet në mënyrë që të mos mbytet rritja ekonomike dhe të ketë nxitje punësimi. Sipas BB-së për vende si Shqipëria niveli optimal i borxhit është 40 % i GDP-së.